Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim buxhetin për vitin 2016 me 84 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim

  • Postuar më, 05/12/2015

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare  ku miratoi  në parim paketën fiskale dhe buxhetin për vitin 2016.

Në fillim të seancës, fjalën e mori Kryeministri z. Edi Rama, i cili   prezantoi buxhetin për vitin 2016, që  parashikon një rritje me 3.4 për qind të ekonomisë shqiptare. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se nuk do të ketë rritje të sigurimeve për biznesin, as rritje të borxhit nga 64% në 75%.Sipas tij,  objekti i qeverisë mbetet ulja e borxhit drejt nivelit  60%. “Të gjithë ata që kanë të ardhura në 50 mln u përjashtuan nga taksat. Kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe solide. Vitin e kaluar  u mblodhën sa në 5 vite. Të ardhurat për periudhën 2006-2013 janë 23.3 %, 23.1 %. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat  janë 330 milionë dollarë më të larta, Së pari, kemi  rënie të çmimit të karburantit në bursat ndërkombëtare. Përgjysmimi i importit të energjisë elektrike prej 16 milionë dollarësh më pak në të ardhura, por një e dhënë pozitive sa i përket mirë administrimit të burimeve tona të energjisë. Rënia e sasisë së importit të cigareve ishte më e madhe se sa parashikimi ynë kur vendosëm me vetëdije të rrisim akcizën për të dekurajuar, dhe efekti është më pak në raport me parashikimin. Barnat me një efekt 13 mije dollarë , rënie të sasive të importit të fruta perimeve për shkak të rritjes së prodhimit vendas,  si rezultat i procesit të ndryshimit të modelit tonë ekonomik që stimulon rritjen e ekonomisë ”, theksoi z. Rama. Duke  replikuar  në emër të opozitës, ish-ministri i  Financave z.Bode tha se buxheti nuk i përgjigjet pritshmërive të qindra mijëra familjeve shqiptare që lidhen me politikat e qeverisë për pagat, pensionet apo shërbimet, apo atyre familjeve që kanë biznese e që lidhen me oreksin e kësaj qeverie. “Janë programuar 400 milionë dollarë më pak në krahasim me një vit më parë, taksat  janë rritur për dy vite me radhë”, tha z. Bode. Deputeti i PD-së akuzoi qeverinë  se  ka rritur borxhin nga 61.9 % t në 74 % te PBB-së.  “Vetëm nga Banka Botërore e FMN-ja ka marrë 500 milionë dollarë për të mos folur për daljet në tregjet ndërkombëtare financiare apo tregun e brendshëm TVSH e energjisë elektrike llogaritet dhe paguhet mbi bazën e çmimit përfundimtar që ka te qytetari dhe nuk ka rëndësi nëse vjen te importi. Me këtë zbuluan faktin se nuk kishin paguar TVSH-në e të gjithë HEC-ve private që prodhojnë energji, që në procesin e pagimit të taksave do të rimbursohen në pjesën e rimbursueshme”, tha z. Bode. Në vijim, Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani  tha se 14.5 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të vijnë nga lufta kundër informalitetit. Ai akuzoi opozitës se po përhap panik në publik. “U është fiksuar ideja e panikut, për të ngjallur panik te njerëzit për të krijuar idenë, sikur do bëhet qameti. Në këtë buxhet të vitit 2016, 14.5 miliardë lekë do të vijnë nga lufta kundër informalitetit. Nga reforma e tërë kundër informalitet. E keni aty në vend që të filozofoni”, tha Cani. Investimet, tha ai, këtë vit janë 92 miliardë lekë më të larta. Cani tha se ka ndryshuar raporti i shërbimeve operative me investimet, 40-60%.

“80 e ca për qind e ekonomisë shqiptare është private. Nuk them se cila parti e ka bërë se të gjithë e kemi bërë në këto 25 vite privatizimin, nuk po them kush më shumë e kush më pak. Po që të jetë 80 e kusur për qind e ekonomisë në duart e privatit dhe t’i të mendosh se çfarë parash shpenzon shteti është dozë e thellë naivititet. Shteti pjesën e vet në këtë rritje ekonomike me 92 mld lekë e ka pjesën e vet”, tha ministri Cani.

Në emër të grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili e vlerësoi si një moment të rëndësishëm uljen e borxhit publik dhe  uljen e taksave për herë të parë.  “Debati a është ky buxheti optimal, a është ky buxheti që i jep zgjidhje problemeve, sigurisht nuk mund të ishte i tillë pasi ky buxhet vjen pasi qetëson një seri problematikash që e shoqëruan atë që në vitin 2013. Besoj se në këtë pikëpamje kemi bërë një hap përpara pas disa dhjetëra e dhjetëra buxheteve të diskutuara në parlament. Ne të gjithë duhët të jemi më të qetë me të gjithë argumentet që qeveria paraqiti pasi e kemi më të lë lehtë ta pranojmë pasi e gjithë strategjia e këtij buxheti është negociuar me seriozitet me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha z. Vasili.

Deputeti i PD-së, z. Gjovalin Bzheta tha se buxhetet vjetore duhet të synojnë shëndoshjen e biznesit. “Ju nuk pyetët grupet e biznesit, profesionet e lira, Konfindustrinë, opozitën jo që jo. Ju ndërtoni paketa fiskale që kanë kundërshtim mbarë botëror. Paketa fiskale e propozuar nga qeveria për vitin 2016 është një goditje për klasën e mesme nëse duhet të pranojmë se ka një të tillë në Shqipëri. Këto ndryshime shkojnë kundër mirëqenies së qytetarëve dhe shkojnë për të pasuruar njerëzit që janë të kapur me shtetin”, u shpreh z. Bzheta.

Deputeti i PS-së, z. Anastas Angjeli theksoi se një karakteristikë e veçantë e këtij buxheti është se për herë të parë ka një ndryshim shumë të madh në fondin për organet lokal, garanton dhe vijimin e reformave të nisura. “Një karakteristikë e veçantë është mbështetja e një sërë reformave të nisura, qoftë për çështjen e problemit të pronave, qoftë me përmirësimin e një sërë shërbimesh të tjera. Ky buxhet mbështet një sërë degësh, një sërë prioritetesh në ekonomi si në fushën e bujqësisë, infrastrukturës, energjisë që janë një garanci për zhvillimin dhe rritjen ekonomike në vendin tonë. Për herë të parë duhet të theksojmë se ka një përpjekje serioze për të pasur një konsolidim fiskal i cili është një garanci për vazhdimin me financa të shëndetshme. Masat që po merren na çojnë drejt një konsolidimi shumë të fortë që na bën që të kemi një buxhet sa më realist”, tha z. Angjeli.

Pas diskutimeve, Kuvendi kaloi në procesin e votimit. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” u miratua me 85 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” u miratua me 86 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim.

Kuvendi vendosi të miratojë me 85 vota pro, 37 kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” u miratua me 85 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim. Po me kaq vota u miratua dhe projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Dy projektligjet “Për disa shtesa në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”  u miratuan me 85 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa projektligji “Për punëkërkuesit” siguroi 85 vota pro 38 kundër 1 abstenim. Kuvendi votoi me 84 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2016”.

Kuvendi hodhi në votim edhe projektligjet e seancës plenare të datës 3 dhjetor.

Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar”  u miratua me 86 vota pro, 37 kundër dhe asnjë abstenim. Kuvendi rrëzoi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE SH.A” i cili kërkonte shumicë të cilësuar votash. Kjo nismë siguroi 52 vota pro, 63 kundër dhe 10 abstenim duke u rrëzuar.

Projektligj “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”  u miratua me 78 vota pro, 44 kundër dhe 1 abstenim, kurse projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes” mori 86 vota pro, 36 kundër dhe  asnjë abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”  siguroi 84 pro, 40 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i RSH” të ndryshuar”  u miratua me 85 vota pro, 37 kundër dhe 1 abstenim. Kuvendi vijoi më pas me zgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, propozim i forcave politike nga mazhoranca dhe opozita. Me 79 vota pro dhe 39 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi miratoi propozimin e PS-së për të rizgjedhur znj. Edlira Jorgaqi si anëtare të KQZ-së, ndërsa me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u rizgjodh edhe z. Klement Zguri, si propozim i opozitës. Seanca i mbylli punimet në datë 05.12.2015 rreth orës 02:30.


Share