Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 04/12/2015

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku miratoi disa marrëveshje në fushën e policisë, infrastrukturës, biznesit dhe ligjin për dekriminalizimin.

Fillimisht, Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me disa projektligje te depozituara në Kuvend nga Këshillimi i Ministrave. Kuvendi vijoi me shqyrtimin e projektligjeve të përcaktuara në rendin e ditës. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes”, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi tha se kjo nismë shkurton afatin ndërmjet momentit të gjetjes së fëmijës të braktisur ose lënies së fëmijëve për birësim nga prindërit biologjike dhe paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes nga gjykata. “Propozohet që afati para paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes të fillojë të llogaritet nga momenti i gjetjes së fëmijës së braktisur ose lënies së fëmijës nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes sociale, përfshirë spitalet, nëpërmjet një deklarimi me shkrim të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim. Në rastet kur prindi ose prindërit kanë nënshkruar një deklaratë për braktisjen e fëmijës dhe kanë shprehur vullnetin që fëmija të jepet për birësim nuk është e nevojshme të kryhen përpjekje për t’i kontaktuar ata e për të bashkuar familjen biologjike. Gjithashtu, saktësohet rregullat kur braktisja e fëmijës nuk deklarohet”, tha znj. Hysi duke shtuar se projektligji synon që të shkurtojë koha e qëndrimit të fëmijëve në pritje për birësim brenda vendit dhe birësim ndërvendas, për më tepër, fëmijët me nevoja të posaçme, të cilët nuk birësohen brenda vendit, nga 6 muaj që parashikon ligji në 3 muaj. Lidhur me projektligjin tjetër, atë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar”, deputeti i LSI-së, z. Bujar Kllogjri tha se qëllimi i projektligjit është ndihma ndaj fëmijëve të braktisur për t’u rritur nga familje më të mirë të mundshme. “Për këtë arsye, propozohet që, në rastet kur prindi ose prindërit kanë nënshkruar një deklaratë për braktisjen e fëmijës dhe kanë shprehur vullnetin që fëmija të jepet për birësim, nuk është e nevojshme të kryhen përpjekje për t’i kontaktuar ata e për të bashkuar familjen biologjike. Gjithashtu, propozohet ndryshimi i neneve 253 dhe 257 të Kodit të Familjes, me synim që të shkurtohet koha e qëndrimit të fëmijëve në pritje për birësim ndër vendas. Për këto arsye, propozohet që ky afat të shkurtohet në 3 muaj. Këto ndryshime do të sillnin pasoja të menjëhershme pozitive dhe përshpejtimin e bashkimit me një familje birësuese të foshnjave të braktisura që mbahen në institucione të përkujdesjes sociale, pa pasur nevojë që të kryhen ndryshime strukturore apo që të përdoren burime financiare e njerëzore shtesë”, tha z. Kllogjri. Deputetja e PD-së, Arbjola Halimi shprehu rezerva për nismën e qeverisë, e cila kërkoi që projektligji duhet të ketë si qëllim afrimin ë fëmijës me familjen biologjike dhe jo të anasjelltën. “Shkurtimi nga një vit në tre muaj në kodin e familjes dhe nga 6 muaj në 3 muaj në ligjin për birësimet, për lejimin procedurave të birësimit, përbën një rrezik serioz në gjykimin tonë për fëmijën dhe për familjen biologji,e. Rrezik të cilin ne si opozitë nuk e mbështetëm pasi birësimi i fëmijëve nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, pro afrimin me familjen biologjike dhe mbajtja, ruajtja e kësaj lidhje të ngushtë duhet të jetë përpjekja themelore”, u shpreh znj. Halimi. Kuvendi vijoi më pas me diskutimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995  “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”.

Në emër të Grupit të PS-së, deputeti Erion Braçe tha se kjo nismë nuk synon të penalizojë sipërmarrësit e rregullt.

“Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për biznesin e ligjshëm, për biznesin e ndershëm dhe për të gjithë ata sipërmarrës që në mënyrë të ndershme dhe të ligjshme paguajnë taksat prej 25 vitesh në këtë vend. Dënimi me burg për shkeljet të rënda fiskale gjendet i vendosur nga ju në ligjin aktual”, tha z. Braçe.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti Genc Ruli deklaroi se ndryshimet ne Kodin Penal për veprat në fushën e kontrabandës dhe të tatim-taksave , synojnë një ashpërsim ekstrem te sanksioneve penale për këto vepra. “Duke rritur në këto kufij ekstrem gjobën fiskale apo dënimin me burg do të prodhoni pashmangshmërisht fenomene akoma dhe më të dëmshme se sa vetë informaliteti ekzistues. Së pari, do të sofistikohet edhe më tej arti i mashtrimit në evazionin fiskal, sepse dënimet e rënda janë veç një ftesë për qytetarin që të bëhet edhe më dinak, edhe më mashtrues. Së dyti, do shtyhet në ekstrem tundimi i zyrtarit tatimor për të abuzuar e për të përftuar e jo për të zbatuar ligjin. Së treti, gjithë presioni reagues i subjekteve ndaj gjobave të papërballueshme apo shpëtimit prej burgut do të përplaset te gjykatat dhe ndoshta dhe ato do të thyen para këtij presioni, ose duke mos e mbrojtur qytetarin ose duke dhënë “drejtësi” me çmim me të shtrenjtë”, tha z. Ruli. Gjatë diskutimit në projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995  “Kodi i Punës i RSH” të ndryshuar”, Në emër të Grupit LSI, deputetja Silva Caka tha se përmes kësaj nisme harmonizohet koncepti i diskriminimit në marrëdhëniet e punësimit dhe formimit profesional me direktivat e BE-së. “Rregullohen marrëdhëniet e punës së punëmarrësve të huaj që dërgohen për të punuar përkohësisht në Shqipëri, punësimi i përkohshëm të punëmarrësve jashtë shtetit, si dhe veprimtaria e agjencive të punësimit të përkohshëm të cilat ushtrojnë përkohësisht veprimtarinë në cilësinë e punëdhënësit. Gjithashtu, parashikohet marrja e masave pozitive nga punëdhënësi, si masa të përkohshme dhe të veçanta, të cilat synojnë përshpejtimin e vendosjes reale të barazisë në ushtrimin e së drejtës për punësim dhe profesion, kur mungesa e barazisë është shkaktuar nga diskriminimi për çdo shkak të përmendur në këtë nen”, tha znj. Caka.

   Në emër të Grupit PD, znj. Albana Vokshi shprehu  rezerva për nismën. “Ky kod nuk është produkt i koalicion tuaj. Ky kod ka shumë vite që ka nisur, madje është përfunduar që para 2 vitesh dhe ju keni sjellë vetëm dy ndryshime. Së pari atë të nenit 90 i cili kthen atë skllavërimin e punonjësve sepse punëdhënësi tani i detyron punëmarrësit që të punojnë deri në 200 orë pune. Ndaj ne kemi shprehur që jemi kundër kësaj. Ndryshimi i dytë është ai për moskthimin në vendin e punës të gjithë punonjësve që kishin vendim të formës së prerë të gjykatave. Pra të dyja ndryshimet janë krejt të mbrapshta”, tha znj. Vokshi Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Klodiana Spahiu hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke deklaruar se ky projektligj u vjen në ndihmë punëmarrësve dhe punëdhënësve. “Procedura e masësh disiplinore nga punëdhësi duhet të garantojë të drejtën e punëmarrësit për t’u dëgjuar, mbrojtur, parashtruar fakte dhe prova brenda një afati të arsyeshëm. Ky është njëri prej ndryshimeve që në fakt kolegia e  keqinterpretoi. Ndryshimi i dytë është në nenin 35 i cili ka të bëjë m faktin që punëdhënësi mund t’i kërkojë, jo ta detyrojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në punë. Dhe ky është një ndryshim i keqinterpretuar. Ndryshimi i tretë ka të bëjë me nenin 68 i cili thotë se për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim”, tha znj. Spahiu.

Më pas, Kuvendi vijoi e diskutimin e projektligjit “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE SH.A”

Deputeti i PD-së, Eduard Halimi kërkoi një hetim ndërkombëtar të kësaj çështjeje. “Të kërkohet një ekip prokurorësh të huaj, euro-amerikanë, të cilët të koordinojnë hetimin me prokurorinë e Përgjithshme shqiptare. Qëllimi është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithanshëm të fakteve të bëra publike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës”, tha z. Halimi.

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj  tha se projektligji bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës, ku parashikohet që në Shqipëri, Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që duhet dhe që mund të ushtrojë hetimin dhe të përfaqësojë akuzën. “Kështu siç është shkruar, i parë në këndvështrimin kushtetues projektligji me parashikimet e tij bie ndesh haptazi me disa nene të Kushtetutës, e konkretisht bie ndesh me nenin 148 të saj ku parashikohet se Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që duhet dhe mund të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në Republikën e Shqipërisë. Projektligji kështu siç është shkruar, bie ndesh edhe me vet jurisprudencën e konsoliduar tashmë të Gjykatës Kushtetuese. E shprehur në këtë mënyrë kjo e bën projektin antikushtetues dhe në kundërshtim të plotë me Kodin e Procedurës Penale. Kjo është dhe arsyeja themelore pse nuk u mbështet miratimi në parim i këtij projektligji. Mbi gjykimin kushtetues e ligjor nuk mund të vendosen argumentet politike, emocionale e personale për çfarëdo motivi e qëllimi sado pozitiv qoftë ai dhe pavarësisht se cili është individi apo organi që i artikulon ato”, tha z. Xhafaj.

Deputeti i LSI-së Petrit Vasili ftoi palët për të ndryshuar edhe Kushtetutën nëse do të jetë e nevojshme për një hetim ndërkombëtar . “Qëndrimi ynë politik, publik ka qenë shumë i qartë lidhur me këtë çështje, pra me mbështetjen e një hetimi të plotë të çështjes dhe të një hetimi ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë të një hetimi amerikan, për një besueshmëri akoma më të lartë dhe të plotë, të një hetimi i cili ka lidhje me problemin. Vazhdojmë të kemi një konsekuencë për këtë çështje, por diskutimi në sallën e Parlamentit dhe argumentet e paraqitura qartë këtu janë të tilla që, ne nuk mund të jemi këtu për t’i bërë shërbim, në mënyrë qesharake, UNMIK-izimit të Shqipërisë. Është tashmë shumë i qartë për të gjithë opinionin publik edhe qëndrimi i partnerëve, veçanërisht atyre amerikanë, të cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre për të asistuar procesin, por jo për të ndërmarrë ata hetimin e plotë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha z. Vasili.

Deputetët diskutuan edhe për projektligjin për “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” si dhe për projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani tha se aktualisht kemi në fuqi një ligj me një listë dëshirash të pazbatueshme, pasi kemi një tufë me nene që thonë të drejta, por që nuk zbatohen. “Elementi tjetër është, nga njëra anë e drejta ligjore për të gëzuar pronën sipas ligjit aktual dhe nga ana tjetër ka një realitet, si pasojë e kaosit urban në vite dhe një morie aktesh administrative, që toka që i takon pronarit, zihet dhe ligji në fuqi bëhet gjithnjë e më pazbatueshëm”, ¬ nënvizoi z. Manjani. Sipas tij, nisma e re e qeverisë e vendos çështjen e pronave në shinat reale të zgjidhjes. “Sot na duhet ta korrektojmë këtë situatë të gjithë bashkë dhe këtu nuk ka ndasi politike”, thaz. Manjani. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se përmes këtij projektligji i hapet rrugë edhe vjedhjes së dytë ndaj pronarëve të tokës. “Sillni një projekligj i cili nuk e njeh fare “kompensimin e pronës” madje akoma më keq. Ky projektligj e ka hequr tërësisht këtë si koncept e kjo nuk ka ndodhur si pasojë e një harrese të Qeverisë, por është zgjidhje e saj. Është zgjidhje e saj për shkak se kanë ndryshuar kriteret për vlerësimin e pronës dhe kompensimin e saj. Tashmë nuk kemi më njohje e kthim të pronës, por “rishpronësim dhe rikonfiskim të pronës.” Kështu ky projektligj po tenton të mbyllë padrejtësisht njëherë e përgjithmonë procesin e kthimit të pronës duke lënë të pa zgjidhura në thelb të gjitha ato çështje të cilat ose janë të pa trajtuara ose për momentin kanë mbetur pezull”, tha znj. Tabaku.

Seanca i mbylli punimet në datë 04.12.2015, rreth orës 02.30.


Share