Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton në parim projektbuxhetin për vitin 2016 dhe në tërësi projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 02/12/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2016 si edhe miratoi në tërësi projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin zëvendësministrja e Financave znj. Irena Beqiraj si edhe përfaqësues nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Në fillim Komisioni votoi në parim projektbuxhetin për vitin 2016 duke vijuar më pas me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Kryetari i Komisionit, z. Erjon Braçe, në diskutimin e tij, theksoi se për lojërat e fatit dhe për pikat e basteve duhet vendosur një standard i ri në mënyrë që të mos jenë të përhapur në masë. “Qëllimi i këtij ligji është reduktimi deri në mbyllje i këtyre lojërave. Këtu bëhet fjalë për lokalet e basteve sportive dhe, në qoftë se ka një gjë që vazhdon të jetë e përhapur pa fund nëpër qytetet tona, ato janë lokalet e basteve. Nuk ka pallat që të mos ketë në kat të parë një pikë basti. Me këtë ligj nuk po i heqim dot larg kateve të para të pallateve, të paktën të jenë larg këtyre 3 institucioneve”, u shpreh z. Braçe

Më pas komisioni vijoi diskutimet për nenet e tjera të projektligjit duke e votuar atë më pas në tërësi për t’ia përcjell për shqyrtim seancës plenare.


Share