Komisioni i Integrimit Europian zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, për projektbuxhetin e vitin 2016.

  • Postuar më, 25/11/2015

Komisioni i Integrimit  Europian zhvilloi seancë dëgjimore me  Ministren e Integrimit  Evropian, znj. Klajda Gjosha,  për  projektbuxhetin e vitin 2016.

Përpara komisionit, Ministrja Gjosha bëri një prezantim të detajuar të  buxhetit të MIE për vitin 2016, i cili shkon  në vlerën rreth 440 milion lekë.

Gjatë fjalës së saj, znj. Gjosha theksoi se projektbuxheti i vitit 2016, siguron koordinim dhe monitorim cilësor të proceseve të rëndësishme si: zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; menaxhimin e asistencës së BE-së; koordinim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE; përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, etj.

Lidhur me projektet IPA, znj. Gjosha  sqaroi se për herë të parë fillon zbatimi i një pjese të projekteve IPA, në mënyrë të decentralizuar, proces i cili rrit pronësinë mbi implementimin e fondeve IPA, por njëkohësisht edhe përgjegjësitë për performancën. Në këtë kuadër, z. Gjosha tha se është e rëndësishme të sigurohet bashkërendimi dhe sinergjia midis financimit IPA dhe fondeve të buxhetit kombëtar, në mënyrë të veçantë për programet e Mbështetjes Buxhetore që fillojnë të implementohen në 2016-n.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Kryetares së Komisionit, znj. Majlinda Bregu se cili rekomandim i KE-së plotësohet dhe afron Shqipërinë në procesin e hapjeve të negociatave lidhur me rritjen e shpenzimeve operative me 4%, znj. Gjosha sqaroi se qeveria ka marrë përsipër të luftojë korrupsionin në çdo detaj dhe për herë ta parë marrim një fond të veçantë për procesin e negociatave. Gjithashtu, znj. Gjosha tha se prioritet kyç është reforma në drejtësi dhe të gjitha institucionet që do e realizojnë kanë një rritje në buxhetin e tyre.

Znj. Bregu  tha se korrupsioni  është shumë i përhapur çka konfirmohet edhe nga raportet e KLSH-së që flasin për miliona euro tendera abuzive.

Sipas, nënkryetarit Balla, ky buxhet ka disa aspekte pozitive dhe nxit rritjen e punësimit. “Është një buxhet që nxit zhvillimin rajonal, thellimin e reformave, uljen e taksave, uljen e borxhit. Gjithashtu, ky buxhet rrit  kompetencat për shërbimet dhe fondet nga ana e  qeverisjes vendore”, tha z. Balla.


Share