Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin policor”

  • Postuar më, 23/11/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin policor".

I ftuar ishte zv.Ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Z. Mustafaraj shpjegoi para anëtarëve të komisionit se në përputhje me objektivat e qeverisë shqiptare në luftën ndaj krimit dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal e më gjerë si edhe në kuadër të luftës ndaj fenomeneve kriminale, trafiqeve, por edhe strategjive relevante në këtë fushë është hartuar kjo projekt-marrëveshje e re.

“Nisma është në kuadër të zbatimit të direktivave të BE-së dhe është hartuar në kushtet e reja në të cilat kalojnë të dyja vendet”, - tha zv.Ministri i Brendshëm, ndërsa shtoi se kjo marrëveshje ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit, parandalimit dhe eliminimit të kërcënimeve për sigurinë publike dhe rendin publik, parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprave penale, luftës kundër krimit ndërkufitar dhe trajnimit e zhvillimit profesional.

Sipas projektligjit, palët zotohen se do bashkëpunojnë për implementimin e masave të përbashkëta policore me stafe të përbashkëta, mbështetje materiale dhe organizative, realizimin e raporteve të përbashkëta të analizës së riskut, si dhe kur është e nevojshme, me krijimin e skuadrave policore të përbashkëta.

Pas diskutimeve, komisioni e miratoi në parim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin policor”.


Share