Komisioni për Integrimin Europian miratoi një projektligj të rëndësishëm.

  • Postuar më, 23/11/2015

Komisioni për Integrimin Europian  miratoi  projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Këshillit të Stabilizim – Asociimit Bashkimi Evropian Shqipëri, 1/2015, i datës 11.5.2015, që zëvendëson Protokollin 4 të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve të tyre Anëtare, nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ”.

I ftuar  në komision ishte  Zëvendësministri i Integrimit Europian z. Gentian Elezi. Zv/ministri z. Elezi  tha se ky projektligj synon ratifikimin e vendimit të Këshillit të Stabilizim Asociimit, si dhe zëvendësimin e  protokollit të  4- të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Meqenëse është miratuar me ligj dhe modifikimi duhet miratuar me ligj.

“Prandaj këto ndryshime synojnë unifikimin e legjislacionit të MSA-së me konventën rajonale të miratuar më 2012, për produktet e origjinës.  Kjo mundëson eksportuesit shqiptar duke importuar lëndë të parë pas përpunimit, mund ta eksportojnë si produkt të origjinës në Shqipëri. Pra, krijon lehtësira  dhe akses në tregun ndërkombëtar”, tha. z. Elezi.

Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, znj. Majlinda Bregu tha se  në fund të 5-vjeçarit  Ministria e Integrimit duhet të sqaronte se sa  përqind e këtij legjislacioni është në linjë me tregun e brendshëm.

“Ne do të përfshihemi vetë  në këtë ushtrim si Këshill Kombëtar i Integrimit për të pasur mundësinë qoftë dhe më një organizatë joqeveritare për të bërë këtë analizë. Pra, duhet të kemi një analizë të brendshme”, u shpreh znj. Bregu.

Për këtë çështja është diskutuar dhe me biznesin, MPJ, tha z. Elezi, ku  do të ketë dhe një përgjigje sa më shpejt.


Share