Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 18/11/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave” dhe projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani i cili bëri një prezantim të projektligjit duke e cilësuar reformën e pronave si fondamentale për zhvillimin ekonomik në Shqipëri.

“Kjo është një temë shumë e rëndësishme. Është një temë fondamentale që trajton njëkohësisht një interes publik madhor që është interesi jonë i përbashkët për të parë ndonjë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm i cili fillon nga reforma e pronave, por prek gjithashtu në të njëjtën vlerë nga pikëpamja e trajtimit edhe interesa private, interesa personale, interesa të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të cilën duhen trajtuar dhe duhen vendosur në një harmoni më të mirë. Kështu që nga kjo pikëpamje ne themi që ky proces që ju po ndërmerrni vetëm se do të kontribuojë më mirë dhe asgjë të ketë nuk ka”,- theksoi z. Manjani.

Pas prezantimit të bërë, komisioni vijoi me seancën e pyetje për projektligjin duke e shtyrë shqyrtimin në parim pasi anëtarët vendosën që në seancën e radhës të zhvillojnë një seancë dëgjimore me grupet e interesit që preken nga ky projektligj.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim edhe projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.


Share