Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një takim pune me komisionin për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Republikës së Kosovës

  • Postuar më, 18/11/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një takim pune me komisionin për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit anëtarët e dy komisioneve biseduan për çështje që kanë të bëjnë me arsimin, kukturën dhe përafrimin e legjislacionit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në këto fusha si edhe përafrimit të programeve kurrikulare. Gjithashtu, u diskutua edhe heqja e pengesave që ende mund të ekzistojnë për të ndjekur arsimin e lartë për studentët nga Kosova në universitet e Shqipërisë dhe anasjelltas, por edhe për funksionimin dhe përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara që nga viti 2006 e në vazhdim midis dy qeverive.

Një nga temat më të rëndësishme që u diskutua ishte edhe situatën në shkollat e Preshevës, që vuajnë mungesën e teksteve të gjuhës shqipe. Anëtarët e të dyja komisioneve ranë dakord që të ndërmarrin një nismë në këtë drejtim për të nxitur qeveritë dhe autoritet e të dyja vendeve për të zgjidhur problemin e teksteve.

Në përfundim, të takimit dy kryetarët e komisioneve respektive, z. Genc Pollo dhe z. Nait Hasani dolën para medieve me një deklaratë për shtyp:

Kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, z. Genc Pollo

Në përfundim të takimit të përbashkët me Komisionin për Edukimin, Kulturën dhe Rininë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mund t’iu kujtoj që ky është takimi i dytë pas vizitës së parë që komisioni ynë bëri në Prishtinë në pranverë të këtij viti, besoj që të dyja kanë qenë takim shumë të frytshme. Është në radhë të parë kënaqësi për mua si kryetari i komisionit të kem homologun tim z. Nait Hasani si mik në Tiranë dhe bashkë me të, bashkë me kolegët e komisionit tonë, bashkë me kolegët e komisionit kosovar të ndjekim çështjet që kemi ngritur së pari në Prishtinë.

Pra, përafrimin e legjislacionit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në çështjet e arsimit dhe kulturës, të përafrimit të programeve kurrikulare dhe të krijimit të mundësive që të përdoren të njëjtat norma, pak a shumë të njëjtat përmbajtje si dhe mundësisht të njëjtët libra shkollorë të tregtueshëm dhe të përdorshëm në të dyja vendet. Të shikohet mundësia e aksesit dhe heqja e pengesave që ende mund të ekzistojnë për të ndjekur arsimin e lartë për studentët nga Kosova në universitet e Shqipërisë dhe anasjelltas, edhe për ciklin ‘bachelor’ edhe për atë ‘master’. Sepse pavarësisht se normat e rregullat në fuqi mund të mos e pengojnë, mund të ketë edhe pengesa andej dhe këtej dhe kjo është një çështje, që është përgjegjësi e ministrive. Por ne si komision jemi të angazhuar që të shikojmë funksionimin dhe përmbushjen e qëllimeve, të cilat janë të përfshira në marrëveshjet e nënshkruara që nga viti 2006 e këtej midis qeverive të Tiranës dhe të Prishtinës.

Gjithashtu edhe përdorimi i të njëjtës terminologji ligjore është një çështje e rëndësishme, që të ketë qartësi përsa i përket ligjeve dhe zbatimit të tyre, pavarësisht nëse ato aplikohen në Prishtinë apo aplikohen në Tiranë. Delegacioni do të ketë mundësi të bisedojë konkretisht edhe me ministritë përkatëse dhe të shikojë çfarë është bërë apo çfarë nuk është bërë, sepse jam i sigurt se mbetet shumë për të bërë pavarësisht se çfarë është nënshkruar.

Diskutuam përtej Kosovës edhe situatën në Preshevë. Një delegacion i komisionit tonë u kthye dje nga qyteti i Preshevës për të parë situatën aty, sidomos situatën në arsim në shkollat e Preshevës dhe me përshtypjen dramatiko-negative për shkak të mungesës së teksteve të gjuhës shqipe, që në mënyrë të padrejtë dhe pa u bazuar në ligj ndërkombëtar apo qoftë në ligjin e vet, pengohen nga autoritet e Serbisë, duke krijuar një situatë që mua më kujton një periudhë të trishtuar të historisë moderne të Kosovës dhe të asaj para lufte dhe para pavarësisë kur shkollat në gjuhën shqipe bëheshin në ambiente private.

Kjo nuk duhet të lejohet në Evropën e shekullit të 21-të dhe ne do të bëjmë çmos, duke nxitur qeverinë që të bëjë më shumë se sa ka bërë për të furnizuar me çka ka nevojë për nxënësit e Preshevës. Është një nismë që do e ndjekim bashkë të gjithë në komision dhe në bashkëpunim dhe me autoritet e Kosovës dhe sidomos me komisionin homolog të Kosovës. Dhe tani kam kënaqësinë t’i jap fjalën mikut tonë në këtë vizitë, kryetarit homolog të Kosovës, z. Hasani.

Kryetari i Komisionit për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Kosovës, z. Nait Hasani

Vizita jonë është vizitë pune në Kuvendin e Shqipërisë dhe qëllimi i Komisionit për Edukimin, Kulturën dhe Rininë të Kuvendit të Republikës së Kosovës është njohja me ligjet, sidomos me ligjin për arsimin e lartë, me marrëveshjet që ka nënshkruar qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë në fushën e arsimit dhe të kulturës, zbatueshmëria e tyre, pengesat ku janë, cilat janë pengesat që ne si komisione dhe Kuvende mund t’i përmirësojmë që kërkojmë ndryshime, plotësime. Dhe mundësitë e studentëve apo bashkëpunimin në universitet publike dhe private. Prandaj diskutimet që ne patëm dhe mundësia që të kryejmë këtë vizitë të përbashkët që t’i vëzhgojmë ose t’i përcjellim ministrive tona në zbatimin e këtyre marrëveshjeve është nga ato nevoja që ne na duhen.

Shqipëria ka miratuar së fundmi ligjin e ri për arsimit e lartë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që ne na ka ardhur tani më Kuvend kërkesa për ndryshime në ligjin për arsimin e lartë në Kosovë. Ne kemi edhe pengesa të tjera në fushën e arsimit, pasi kemi ligjet tona të arsimit që duhet të pajtohen me 2/3 e komunitetit serb në Kosovë. Kjo është një nga pengesat që ne do ta trajtojmë edhe në fushën e përafrimit edhe me legjislacionin europian. Prandaj kjo fushë është e rëndësishme për ne, sepse jemi shqiptarë dhe ligji i arsimit duhet të jetë një ligj thuajse i përbashkët në fushat që ne na bashkon, ndërsa për komunitetet e tjera duhet t’i kemi ato specifike, të veçanta në bazë të marrëveshjeve apo dokumenteve ndërkombëtare.

Ne e dimë që ligji për arsimin është debatuar shumë në Shqipëri, por ne duhet të na jepet një mundësi që të diskutojmë dhe të kemi një ligj të përbashkët. Në vizitat që ka pasur delegacioni i Shqipërisë në Kosovë, kemi kërkuar që të paktën të kemi ligje të përafërta, këto janë edhe pjesë e marrëveshjeve dhe këto ne kërkojmë t’i zbatojmë. T’u japin mundësinë nxënësve, studentëve, atyre që janë me angazhime të ndryshme në fushën e gradimeve që të paktën t’i kemi njohje reciproke të cilat në bazë të marrëveshjeve janë të lejueshme. Prandaj e falënderoj kryetarin e komisionit për pritjen, për angazhimet, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë që na ka ofruar që të na ndihmojë në fusha të caktuara të legjislacionit.


Share