Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj priti në takim anëtarët e Komisionit për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Republikës së Kosovës

  • Postuar më, 18/11/2015

Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj priti në një takim anëtarët e Komisionit për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që drejtohet nga z. Nait Hasani.

Pasi u uroi mirëseardhjen, znj. Leskaj vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy Kuvendeve, i cili është sot i qëndrueshëm, i vazhdueshëm dhe i shtrirë në të gjitha fushat.

"Jo vetëm vizitat e nivelit të lartë të Kryetarëve të Kuvendeve por edhe komisionet parlamentare të politikës së jashtme, të legjislacionit, të veprimtarisë prodhuese, të shëndetësisë dhe të medias kanë zhvilluar takime të ndërsjellta si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë", - vuri në dukje N/kryetarja e Kuvendit, Leskaj.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të kulturës është i një rëndësie të veçantë dhe vjen në vijimësinë e qëllimit të përbashkët për ta forcuar atë jo vetëm në shtratin dypalësh por edhe për të ndërtuar qasje, programe dhe strategji të përbashkëta në ndihmë të bashkatdhetarëve jashtë Shqipërisë e Kosovës dhe në procesin e integrimit tonë evropian, nënvizoi N/Kryetarja e Kuvendit. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova do të shkojnë në Evropën e bashkuar me identitetin kulturor shqiptar, nënvizoi znj. Leskaj.

Kjo vizitë, pohoi znj. Leskaj, shërben për të theksuar edhe një herë vullnetin tonë për të çuar më tej bashkëpunimin cilësor dhe të qëndrueshëm në fushën e arsimit dhe të kulturës, sepse roli i Kuvendit mbetet i pazëvendësueshëm në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe në këtë fushë.

Reforma në arsim do të jetë një tjetër fushë e bashkëpunimit dhe diskutimit mes dy vendeve dhe delegacioneve parlamentare të fushës së arsimit siguroi znj. Leskaj. Ky bashkëpunim do të ndikojë pozitivisht në procesin e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe mbi tekstet e përbashkëta të mësimit të gjuhës shqipe dhe historisë për diasporën shqiptare dhe në rritjen e ndihmesës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës në fushën e arsimit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, vlerësoi znj. Leskaj. Është në interesin e Kosovës, por edhe të Serbisë dhe të rajonit që Kosova të jetë anëtare e UNESCO-s ishte komenti i znj. Leskaj lidhur me këtë çështje, duke shtuar se, anëtarësimi i saj i plotë në KiE dhe në të gjitha organizatat e tjera rajonale dhe evropiane do të ndihmojnë në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e rajonit në tërësi.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim në të ardhmen këto procese duke bashkëpunuar edhe në nivel të delegacioneve parlamentare në KiE dhe në organizma të tjera rajonale, evropiane, ashtu siç e kemi bërë deri sot, shtoi N/Kryetarja e Kuvendit, Leskaj. Duke u ndalur në situatën e brendshme në Kosovë Znj. Leskaj pohoi se të gjithë presin dhe dëshirojnë që procesi i konsolidimit demokratik të institucioneve të ecë në rrugën dhe drejtimin e duhur dhe të pritur nga qytetarët e Kosovës, nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA.

Nga ana e tij, z. Nait Hasani duke ndarë të njëjtën bindjen dhe siguri mbi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh të komisioneve parlamentare respektive falënderoi znj. Leskaj për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi se ata janë të vendosur të vazhdojnë këtë bashkëpunim në interes të dy Kuvendeve, të qytetarëve të dy vendeve për të cilën ndodhen pikërisht sot në Tiranë. Ai ndau gjatë takimit shqetësimin për një ndihmesë të mëtejshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës me tekste mësimore dhe libra në gjuhën shqipe.

Kjo vizitë siguroi ai do t’i shërbejë qëllimeve tona të përbashkëta në fushën e arsimit, të kulturës, por edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjelltë, theksoi z. Hasani, i cili kryesonte delegacionin e Komisionit për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportin në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë takimit me n/Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj.


Share