Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh për të diskutuar Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

  • Postuar më, 16/11/2015

Këshilli  Kombëtar i Integrimit Europian  u mblodh për të diskutuar   Raportin  e  Komisionit Europian për Shqipërinë. Të pranishëm në mbledhje ishin Kryetarja  e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, znj. Majlinda Bregu,  Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Anëtarësimit, z. Christian Danielsson në Komisionin Europian, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj.  Romana Vlahutin, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Odeta Barbullushi, deputetë, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile. Fillimisht,të gjithë të pranishmit në këtë takim, mbajtën një minut heshtje për  ngjarjet në Paris. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Bregu  theksoi  se Shqipëria është në ditë zie kombëtare në shenjë dhimbje për ata që nuk e gëzuan dot jetën e ndërtuar në mes të Europës, në shenjë mbështetje me popullin francez dhe nderimi për vlerat tona të përbashkëta. Gjithashtu, znj. Bregu tha se Europa që nga mbrëmja e së premtes, nuk është më vend i sigurt. “Prej të premtes Europa  po jeton një dimension të ri:  Atë të një dhimbje të përbashkët. Dhe këtu nuk ka rëndësi, nëse  je vend anëtar i BE-së, apo vend kandidat me apo pa negociata. Askush nuk shpreson , se çmenduria e  një shteti të çmendur si ISIS, do të vijë duke u zbehur vetvetiu, por të gjithë shpresojnë ,se vendimarrja europiane do të zgjohet nga përkundja”,- nënvizoi kryetarja Bregu. Gjatë fjalës së saj, znj. Bregu , u ndal tek hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ku vuri theksin se nevojitet një datë për hapjen e negociatave. “Nëse duhet të lëvizim në një kohë, ky Ballkan e kjo Europë, qasja  përbashkuese sot është  Siguria dhe stabiliteti në çdo aspekt. Vetëm në emër të tyre ne jemi të gjithë evropianë,  në një investim afatgjatë. Një qasje ku vendimarrja politike të mos plastelinizohet e të përfundojë në deklarata takimesh. Një qasje, që të na vërë  ne para presionit real, për zbatimin  e detyrimeve, me kalendar kohore të qartë”, - përfundoi fjalën e saj, znj Majlinda Bregu. Nga ana e tij, Christian Danielsson, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Anëtarësimit, në KE duke u ndalur tek çështjet kryesore të progres raportit për Shqipërinë e vuri theksin tek forcimi i shtetit ligjor dhe themelet që kanë të bëjnë me të, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratë publike, mbrojtja e të drejtave të njeriut, zhvillimi i ekonomisë, etj. “Ky komision qartësisht tregon rëndësinë e trajtimit çështjeve që kanë të bëjnë me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe kjo në mënyrë të përbashkuar është thelbësore në mënyrë që të merret pikërisht mbështetja e duhur për reformat e ndryshme, të cilat kërkohen në këtë rrugëtim nga Shqipëria. Është e rëndësishme në mënyrë që të ketë diskutime të hapura për reforma dhe është thelbësore që të ketë më shumë mbështetje publike. Ne, në të gjithë këtë proces , shikojmë çështje që kanë të bëjë me sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, luftës kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë këtu reformën në administratën publike dhe menaxhimin publik financiar. Kur vjen puna tek shteti ligjor, jetik është sistemi ligjor i shoqërisë shqiptare, që është më problematiku. Shqipëria ka nisur një reformë gjyqësore të vështirë dhe të rëndësishme, për të cilën ne e përgëzojmë. Kjo është me shumë rëndësi , për procesin e anëtarësimit dhe i jep zgjidhje dhe çështjeve të tjera si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, investimeve, të lidhura të gjitha me reformën në gjyqësor”, u shpreh Danielsson.


Share