Komisioni Hetimor miratoi planin paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor.
- Postuar më, 16/11/2015

Komisioni Hetimor miratoi planin paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor, për të verifikuar ligjshmërinë e emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, për periudhën 15 shtator 2013 – 30 shtator 2015.
Në fillim, Kryetari i Komisionit z. Genc Pollo, tha se ky ka qenë një shqetësim i opozitës, opinionit publik, komunitetit ndërkombëtar, por dhe segmenteve të mazhorancës, përfshirja në administratën publike jo vetëm në Kuvend, përfshirja në administratën publike e elementeve me të shkuar dhe të tashme kriminale, çka dëmton atë që administrata publike duhet të bëjë, si dhe dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ndërsa, deputeti i PS-së, Musa Ulqini, deklaroi se mazhoranca është e angazhuar për të hetuar çdo abuzim me emërimet në administratën publike. “ Jemi të gatshëm për të bërë çdo verifikim. Këtu është vetëm një përfaqësues i opozitës. Ju e keni kërkuar këtë komision. Mazhoranca është e gjitha për të treguar vullnetin e saj. Ne do të përgjigjemi për çdo indicie të opozitës, por nuk mund të kërkojmë 15 mijë dosje sepse është e pamundur që ti shqyrtojmë”,- tha z. Ulqini.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi planin paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor.