Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Komisioni i Ekonomisë miratoi dy marrëveshje të rëndësishme.

  • Postuar më, 16/11/2015

Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komisioni i Ekonomisë miratoi dy marrëveshje të rëndësishme. Të pranishëm në komision ishin  specialistja në Drejtorinë e Borxhit Publik në Ministrinë e Financave, znj. Brikena Jazxhi, specialiste e Sektorit të Menaxhimit të Fondeve të Huaja në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, znj. Ketrin Abazaj, specialisti nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Jovan Gjika, Drejtor në  Drejtorinë e Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme, z. Armand Skapi, Drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Ministria e Punëve të Brendshme, z. Arjan Rugji dhe Drejtoria Juridike, Ministria e Punëve të Brendshme, znj. Enriketa Verlaku. Përpara fillimit të mbledhjes, komisioni mbajti një minut heshjte për ngjarjet e ndodhura në Francë. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, znj Arta Dade shprehu solidaritetin për popullin francez, për aktet terroriste, ku humbën jetën një numër i madh i qytetarëve francez. Komisioni mori në shqyrtim tri projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, faza I, ndërmjet RSH, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe KFV Frankfurt Am Main, për shërbime të ekspertëve ndaj përfituesit, në kuadrin e studimeve të fizibilitetit, për programin “Infrastruktura Bashkiake III/IV”, të financuar nga fonde të veçanta, të siguruara nga Qeveria Gjermane”, projekligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, faza I, ndërmjet RSH, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe KFV Frankfurt Am Main, për fuqizimin institucional, për programin “Infrastruktura Bashkiake III/IV”, furnizimi me ujë dhe kanalizime për vendndodhjet Berat – Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamzë, Lirazhd dhe Lushnjë”, si dhe  ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin policor". Pas diskutimeve anëtarët e komisionit ranë dakord për kalimin e tyre në seancë plenare.


Share