Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit zhvilloi në Korçë një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe grupet e interesit për çështjet e mjedisit dhe bujqësisë

  • Postuar më, 13/11/2015

Deputetët e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilluan një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe grupet e interesit në Bashkinë e Korçës për problematikat e bujqësisë.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me OSBE-në, teksa i pranishëm ishte edhe ambasadori z. Florian Rauning.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut të Korçës dhe Prefekti i Korçës.

Në fjalën e tij, Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Rauning theksoi se zyrat e deputetëve kanë për qëllim që të zgjedhurit të jenë më pranë qytetarëve dhe për rrjedhojë garantoi mbështetjen për Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si një ndër komisionet më të rëndësishme në Kuvend.

“Gëzohem që shoh se Komisioni po i përdor këto zyra për të diskutuar me qytetarët e Korçës mbi një çështje me rëndësi të madhe, siç është zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm. Ky zhvillim është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe për stabilitetin afatgjatë të saj. Sektori bujqësor përbën thuajse gjysmën e vendeve të punës, por vetëm një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto. Ky takim bashkon në të njëjtën sallë palët kryesore të interesuara. Kjo është një mundësi që komisioni, përfaqësuesit e ministrive, agjencitë shtetërore, grupet e interesit dhe fermerët të diskutojnë së bashku mbi çështje kyçe si mungesa e një tregu bujqësor, subvencioneve qeveritare, diversitetit bujqësor, si edhe më e rëndësishmja, për të formuluar zgjidhje të problemeve, - tha z. Rauning. - As ligjvënësit, as qeveria nuk mund t’i trajtojnë veçmas këto çështje kaq të ndërlikuara. Ato kanë nevojë për kontributin e çmuar të ekspertëve të fushës, akademikëve, grupeve të interesit dhe publikut të gjerë për të përgatitur politika sa më të mira e për të marrë vendime të mençura në dobi të shqiptarëve. Mirëpresim qasjen pozitive të orientuar drejt rezultateve që komisioni ka si synim të ndërmarrë përsa i përket çështjeve të ndjeshme që do të adresojmë sot”, - theksoi Ambasadori i OSBE-së.

Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Eduard Shalsi deklaroi se zhvillimi bujqësor dhe mbrojtja e mjedisit janë dy sfida që duhen përballuar me sukses dhe për këtë nevojiten takimet në terren dhe jo vetëm qëndrimi në komision.

“Kemi vizituar biznese të ndryshme, kemi zhvilluar aktivitet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, dhe gjej rastin të shpreh edhe në emër të kolegëve deputetë falënderimet dhe një mirënjohje ambasadorit dhe ekipit të tij për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Menduam ta përqendrojmë diskutimin tek një prezantim i situatës së bujqësisë në qark, në lidhje me subvencionet, në lidhje me tregun, me gjendjen e bujqësisë, çfarë duhet për mirësuar, çfarë duhet bërë, roli ynë si parlamentar, pavarësisht se cilës forcë politike i përkasim. Ka të bëjë edhe me ushtrimin e një përgjegjësie për të monitoruar punën e qeverisë. Dhe si deputetë kemi përgjegjësinë që të ndërhyjmë pranë qeverisë, të ngremë shqetësimet që dëgjojmë nga njerëzit, të propozojmë pse jo edhe zgjidhje, apo alternativa, kështu që edhe kjo tryezë i shërben njohjes së situatës dhe dëgjimit nga gjithë ata që mund të kontribuojnë në lidhje me çfarë mund të bëjmë më mirë”, - theksoi z. Shalsi.

Deputeti i Partisë Demokratike z. Gjergji Papa falënderoi të pranishmit që kishin ardhur për të këmbyer mendime me deputetët për sektorin e bujqësisë, duke e cilësuar këtë si një nga çështjet më të rëndësishme dhe duke kërkuar mendime për problematika që janë shfaqur në sektorin e bujqësisë.

“Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese ta ketë parasysh në punën e tij ligjvënëse për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë jo vetëm në Qarkun e Korçës, por në të gjithë vendin. Shumica juaj e dinë që Korça është një nga zonat me potencialet më të mëdha në shkallë vendi në drejtim të bujqësisë dhe të industrisë agro-përpunuese. Një nga problemet shqetësuese që kanë dalë edhe në takimet që ne kemi patur edhe me fermerët, por edhe në komision, është çmimi i imputeve bujqësore. Do të donim të diskutonim se si mund të bëhet që fermerët tanë të jenë kompetitivë me prodhimet e tyre bujqësore krahasuar me produktet bujqësore, që vijnë nga vendet fqinje dhe siç dihet në këtë rast, ajo që e ngarkon koston e prodhimit tonë është TVSH”,- theksoi z. Papa.

Më pas anëtarët e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin vijuan diskutimet me të pranishmit për çështjet e bujqësisë dhe problematikat që shqetësojnë fermerët vendas dhe drejtuesit e pushtetit vendor.

Më herët, deputetët e komisionit së bashku me deputetët e Qarkut të Korçës vizituan edhe pikën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve që po ndërtohet në Bashkinë e Maliqit. Deputetët u njohën nga afër me problematikat që kanë hasur si edhe me përfitimet që do të sjellë kjo pikë e grumbullimi dhe përpunimi të mbetjeve, që do të përpunojë mbetjet e gjashtë bashkive që janë në Qarkun e Korçës.


Share