Aleanca e Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë nisi një tur takimesh në rajon, për të lobuar për të drejtat e grave

  • Postuar më, 13/11/2015

Aleanca e Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë nisi një tur takimesh në rajon, për të lobuar për të drejtat e grave, të cilat jetojnë në trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Delegacioni i AGD, së kryesuar nga kryetarja Znj. Mesila Doda, nën kryetarja Mimoza Hafizi si dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale Albana Vokshi takimin e parë e zhvilloi në Tetovë me Kryetaren e Komunës, znj. Teuta Arifi. Në këtë takim, delegacioni shqiptar u njoh me statusin e grave dhe vajzave shqiptare ne Maqedoni. Znj. Arifi vlerësoi nismën e Aleancës së Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë për të bashkëvepruar për rritjen e përfaqësimin të grave në jetën politike dhe publike."Jemi në një kohë që logjika e kufijve nuk duhet të shërbejë për ndarjen e shqiptarëve. Prania e deputeteve nga Shqipëria është një shtysë për të forcuar statusin e gruas në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare", deklaroi Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një prononcim të përbashkët për shtyp me Kryetaren e AGD-së, znj. Mesila Doda. Nga ana e saj, znj. Doda rikonfirmoi angazhimin e Aleancës së Grave Deputete të Shqipërisë për të rritur lobimin për të drejtat e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat janë të nënpërfaqësuara në parlamentet dhe qeveritë e hapësirës mbarëshqiptare." Me kushtetutë, Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë e ka për detyrë të interesohet për mirëqenien e shqiptareve kudo ku jetojnë. Gruaja dhe kombi janë si dy fletët e Shqiponjës që ne kemi në flamur dhe që duhet të rriten së bashku. “Seancën e ardhshme plenare të 8 marsit me deputetet shqiptare mund ta zhvillojmë në Tetovë”, deklaroi gjatë fjalës së saj, kryetarja e AGD, znj. Mesila Doda.


Share