Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 12/11/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare dhe ndër të tjera miratoi dy marrëveshje  në fushën  e të Drejtave të Njeriut dhe  për mbrojtjen shoqërore, si dhe tri projektligje në fushën e Forcave të Armatosura dhe në atë të energjisë.

Në hapje të seancës,  Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Në fjalën e saj përpara Kuvendit, Ministrja e Integrimit, znj. Klajda Gjosha u ndal tek Progres-Raporti, ku theksoi se vlerësohet në mënyrë të  veçantë guximi i palës shqiptare për të ndërmarrë reforma të forta, radikale dhe që kërkojnë një punë të jashtëzakonshme  si nga qeveria, parlamenti ashtu edhe nga opinioni publik.

“Askush nga ne nuk priste asnjë rekomandim për hapjen e negociatave. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që për të arritur këtë, kemi vetëm një detyrë, që duhet të jetë kryefjalë e punës sonë. Nuk ka asnjë vlerësim negativ për  këtë reformë. Ka vetëm një kërkesë të përsëritur shumë herë për vazhdimësinë e kësaj reformë me transparencë, gjithpërfshirje dhe konsensus. Kjo reformë duhet të jetë historike për vendin. Është reformë që do t'i shërbejë Shqipërisë dhe shqiptarëve në funksionimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë, do ti japë zgjidhje çështjeve të korrupsionit, krimit të organizuar, çështjeve të pronës si dhe do të hapë rrugën për më shumë investime të huaja në vend”, tha znj. Gjosha. Seanca vijoi punimet me diskutimin e projektligjit   "Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025". Në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Spartak Braho theksoi rëndësinë që ka ky ligj  në drejtim të zhvillimit të FA, në orientimin për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e misionit kushtetues dhe mbrojtjes kolektive si detyrim i aleancës. “Dua të theksoj se plani në thelb përkthehet në kuptimin e materializimit të objektivave e strategjisë të sigurisë kombëtare, të strategjisë ushtarake, skenarët e rishikimit strategjik të mbrojtjes 2013,  si edhe në konceptin strategjik të NATO-s. Në thelb, ky plan do të orientojë Forcat e Armatosura në përmbushjen me sukses të misionit të tyre në dy aspekte kryesore. Së pari, për mbrojtjen, garantimin e sovraniteti dhe pavarësisë, mbrojtjen e integriteti territorial të vendit, dhe mbrojtën e detyrave në kuadër të aleancës NATO-s. Së dyti, të detyrave në mbështetje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare për të marrë pjesë në operacionet e ndryshme të NATO-s apo në misione e tjera paqeruajtëse”, sqaroi z. Spartak Braho.

Ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, z. Flamur Noka  u shpreh se ky  është një dokument strategjik, i treti në hierarkinë e dokumenteve strategjik, që ka  për sigurinë kombëtarë në vend. “Ky dokument nuk mund të vinte në parlament pa iu nënshtruar një konsulte të gjerë  jo vetëm me Presidentin, por dhe me opozitën dhe faktorë të tjerë.  Një gjë të tillë ju nuk e keni bërë. Pasi me Presidentin e keni detyrim kushtetues. Me  gjithë punën e mirë që teknicienët kanë bërë  në hartimin e këtij  dokumenti, ju e keni mbushur me demagogji politike dhe kjo është një fatkeqësi. Duke qenë një vend anëtar i NATO-s, siç është vendi jonë, që  këtë arritje e kishte  me shumë mund dhe sakrificë,  dhe për çështje të tilla duhet të kishte një bashkëpunim me opozitën’, tha z. Noka.Projektligji u miratua me 78 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Lidhur me  projektligjin “Për ratifikimin e protokollit nr. 15, të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, deputetja e PS-së znj. Vasilika Hysi  bëri një paraqitje të risive që sjell kjo nismë. “Ky ratifikim do të ndikojë që bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Këshillit të Europës, si dhe me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të shënojë progres pozitiv. Protokolli  sanksionon që shteti ka përgjegjësi parësore për të garantuar të drejtat e njeriut dhe të vlerësojë praktikën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ajo kërkon që nismat ligjore të vlerësohen nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut dhe t’i nënshtrohen një konsultimi publik më të gjerë”, theksoi znj. Hysi.

Deputeti i PD-së, z. Oerd Bylykbashi tha se ky është një moment i rëndësishëm, sepse forcon pa diskutim legjislacionin tonë për të drejtat e njeriut, por ky ratifikim duhet të na bëjë të reflektojmë edhe më tej. “Forcojmë ligjin që mbron të drejtat e njeriut, por zbatimi është i frikshëm. Ky kryeministër nuk shquhet për dështim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por shumë më keq se aq. Ky Kryeministër i shkel ato brutalisht. Në  2 vjet, 9.000 nëpunës civile dhe punonjës të administratës janë flakur nga puna, në shkelje flagrante të ligjit. Sot ata janë rrugëve pa asnjë të ardhur dhe pa të ardhme. Fëmijët e tyre sot kanë më pak mundësi jo vetëm për shkollim, por edhe për bukën e gojës. E drejta e pronës është brutalizuar në këto 2 vjet qeverisje. Sot është në fuqi një ligj i këtij parlamenti për njohjen, kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Ku të ankohen për të drejtat e tyre qytetarët shqiptarë? Tek gjykata?! Gjë më të pamend nuk ka. Mbi 75 % e çështjeve me palë shtetin janë fituar nga shteti. Nuk ka ndodhur kurrë. Gjykata e pavarur nga shteti shërben për të vënë në vend padrejtësinë e shtetit”, tha z. Bylykbashi.

Nisma u miratua me 111 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen shoqërore”, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, deklaroi se kjo marrëveshje ofron mbrojtjen në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ngritur mbi themelet e shëndosha të parimit të trajtimit të barabartë me përfitime dhe të ardhura të punëtorëve në punësim. “E thënë me gjuhë të thjeshtë, për ta kuptuar shqiptari i çdo moshe, marrëveshja me Maqedoninë, i siguron shqiptarët e emigruar në vendin fqinj në raport me të drejtat e fituara apo ato që janë duke i fituar në atë vend”, u shpreh znj. Caka. Deputetja e PD-së, znj. Arbiola Halimi deklaroi se janë me dhjetëra shqiptarë të cilët duan që të largohen nga vendi kjo për shkak të gjendjes ekonomike si dhe nivelit të korrupsionit. “30 vende ra Shqipëria në renditjen ekonomike në dy vjet”, tha znj. Halimi.

Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu u shpreh se marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Sipas znj. Spahiu, rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre merret në konsideratë, bashkimi i periudhave të siguruara, sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme. Më tej, znj. Spahiu deklaroi se Shqipëria ka nisur negociatat edhe me Italinë dhe Greqinë, por për shkak të situatës ekonomike në këto vende, ende nuk është finalizuar një marrëveshje.Ky projektligj u miratua me 105 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji “Për efiçencën e energjisë” u miratua me 78 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim. Deputeti i PS-së, z. Shalsi deklaroi se nëpërmjet këtij projektligji synohet krijimi i kuadrit ligjor të nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e një politike kombëtare për nxitjen, promovimin dhe përmirësimin e përdorimit efiçent të energjisë, me synim kursimin e energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe të transformimit të energjisë në sektorët kyç të ekonomisë. Ky projektligj parashikon vendosjen dhe mënyrën e realizimit të objektivave kombëtarë indikativë të efiçencës së energjisë, si detyrim ndërkombëtar të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, z. Shalsi tha: “Sipas raporteve të institucioneve ndërkombëtare, thuhet se ju e zhytët sistemin energjetik në kolaps. Për çfarë flisni ju kolegë të opozitës?! Harruat që keni qenë në pushtet për 8 vite? Zgjidhni njerëz të rinj që t’i bëjnë oponencën kësaj nisme”.

Deputeti i PD-së Fjorion Mima kritikoi  strategjinë e ndjekur nga qeveria për sistemin energjitik. “Humbjet teknike nga 16 për qind, kanë shkuar në 23%. Për tetë vite ndodhi një revolucion për energjinë. Janë dhënë 430 lincenca për hidrocentrale të vegjël dhe të mesëm. Vlera është 3.6 miliardë euro. Por çfarë ndodhi? Në ditën e parë në zyrë ndryshohen të gjitha kontratat. Harxhojmë shumë energji pa eficencë”, tha z. Mima.

Deputetit të LSI-së Robert Bitri tha se projektligji për efeciencën e energjisë zhvillon ekonominë e vendit. “Hartimi dhe zbatimi i një politike kombëtare që, veç të tjerash, promovon dhe përmirëson përdorimin efecient të energjisë, vetëm sa na radhit ndër vendet me sensibilitet të lartë për çështje delikate e madhore, si e sistemit të energjisë dhe menaxhimit efecient të saj. Kursimi i energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe transformimi i energjisë në sektorët kyç të ekonomisë gjejnë në projektligjin që kalohet sot një terren, brenda të cilit bëhen të arritshme si objektiva”, u shpreh ai.

Kuvendi miratoi me 104 pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim dekretin nr. 9314 për shkarkimin e z. Nasip Naço, nga detyra si Ministër i Drejtësisë, si dhe me 81 vota pro, 27 kundër dhe asnjë abstenim miratoi dekretin nr. 9315, datë 10.11.2015 për emërimin e z.Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 22:22.


Share