Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një projektligj të rëndësishëm në fushën e integrimit europian

  • Postuar më, 11/11/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton një projektligj të rëndësishëm në fushën e integrimit europian

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Këshillit të Stabilizim - Asociimit Bashkimi Evropian Shqipëri, 1/2015, i datës 11.5.2015, që zëvendëson Protokollin 4 të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve të tyre Anëtare, nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ”.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit, ishte zëvendësministri i Integrimit, z. Gentian Elezi, i cili bëri edhe një prezantim të projektligjit të depozituar në Kuvend, si nismë e Këshillit të Ministrave.

“Sot Këshilli i Ministrave paraqet pikërisht këtë projektligj për një amendim të marrëveshjes së stabilizim-asociimit, që vjen si detyrim i nënshkrimit të konventës dhe pjesëmarrjen në konventën evropiane rajonale për këtë ndryshim që i bëhet aspektit tregtar të marrëdhënieve të Shqipërisë jo vetëm me Bashkimin Europin, por me vende të tjera si ato EFTA, por edhe më gjerë përsa i përket përkufizimit të origjinës.Projektligji i Këshillit Ministrave synon pikërisht ratifikimin e vendimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit të muajt majit të këtij viti për zëvendësimin e protokollit numër 4 të marrëveshjes të stabilizim-asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë”,- theksoi z. Elezi.

Pas prezantimit të bërë, deputetët e komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan projektligjin në parim si edhe në tërësi duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.

I njëjti projektligj u miratua edhe në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.


Share