Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin "Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025".

  • Postuar më, 11/11/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin "Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025". Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli bëri dhe një paraqitje të nismës. “Kjo nisëm, bazohet në dy shtylla themelore: Detyrimet kushtetuese si dhe detyrimet që vijnë nga të qenit anëtar i NATO-s, në këtë komision. Vijmë nga një detyrim, për të cilin kryeministri shqiptar ka firmosur bashkë me liderët e tjerë në Samitin e Uellsit, ku trendi i harxhimeve buxhetore për çdo vend anëtar do të vijë në rritje me synimin që të paktën në vitin 2020 të mund të prekë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për çdo vend. Në vitin 2016 përtej çfarë është përcaktuar fillimisht, ne do të kemi mundësinë të harxhojmë 1.1  për qind të PBB dhe ky nivel do të vijojë të mbetet i tillë derisa të mund të arrijmë në limitet apo në kufijtë e 2 për qind siç edhe kemi marrë angazhimin”, tha znj. Kodheli. Deputeti i PD-së, Florjon Mima shprehu kritika për këtë dokument, duke deklaruar se ky plan nuk është konsultuar më parë me Presidentin e Republikës dhe me opozitën. “Është plani i parë që hartohet për këtë çështje. Por do të ndalesha në çështjen e konsultimeve, sipas informacionit që kemi ne, ky plan nuk është konsultuar as me Presidentin e Republikës i cili është Komandanti i Forcave të Armatosura, as me opozitën. E theksoj këtë të fundit, për vetë faktin që është një plan afatgjatë dhjetëvjeçar dhe normalisht duhet të ketë konsultime edhe me opozitën. Ky është një dokument politik që realizohet nga qeveritë të cilat vijnë në fuqi. Së dyti rezerva është për buxhetin, ku ju e theksuat që detyrimi është që të alokojë një buxhet, prej 1.5 deri në 2 për qind. Këtë kriter e kemi plotësuar vetëm në një vit kur jemi pranuar në NATO dhe më pas ka pasur rënie”, tha z. Mima. Komisioni miratoi dhe projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.


Share