Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy marrëveshje të rëndësishme.

  • Postuar më, 10/11/2015

Të pranishëm  në komision ishin   Drejtoresha e Përgjithshme e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë znj. Katrin Treska, Përgjegjësja e Sektorit të Studimit të Analizës së Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, znj. Eljona Bylykbashi, Drejtor i Drejtorisë së Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, z.Armand Skapi. Drejtoresha e Përgjithshme e Kodifikimit, në MD znj. Katrin Treska sqaroi se projektligji “Për ratifikimin e protokollit nr.15, të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore” ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet RSH-sw dhe shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, ky protokoll shërben edhe për mbështetjen, nga ana e autoriteteve shqiptare, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe për lehtësimin e mundësisë së qytetarëve në ushtrimin e të drejtave dhe interesave të tyre në mënyrë sa më efikase. “Në konferencat e zhvilluara në Interlaken dhe Izmir, përkatësisht në vitet  2010-2011, shtetet anëtare ranë dakord një zëri se ishte i domosdoshëm reformimi i mekanizmit të supervizimit të Konventës, me qëllim për të siguruar efektivitetin e saj në terma afatgjatë”- tha znj Treska. Sakaq, Drejtori i Drejtorisë së Traktateve dhe të  Marrëveshjeve Ndërkombëtare, në MPJ z.Armand Skapi nënvizoi se ratifikimi i kësaj marrëveshje lehtëson  procedurat për trajtimin e çështjeve nga Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut. “Ne jemi dhe një ndër vendet anëtare të KE, që kemi ratifikuar të gjithë protokollet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”- shtoi z. Skapi. Gjithashtu, komisioni  shqyrtoi dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen shoqërore”. Kjo marrëveshje është në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, ku mbrojtja e emigrantëve rregullohet nëpërmjet aderimit në instrumentet ligjore ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve respektove, si dhe nga legjislacioni kombëtar. Kryetarja e këtij komisioni, znj. Arta Dade u shpreh se nga kjo marrëveshje përfitojnë emigrantët që janë të punësuar në Maqedoni, që në kuadrin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptar të përfitojnë dhe vitet e punës. Pas diskutimeve anëtarët e komisioneve ranë dakord për kalimin e tyre në seancë plenare.


Share