Komisioni për Sigurinë Kombëtare, miratoi në parim Projektligjin “Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”

  • Postuar më, 09/11/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”.

Të ftuar në mbledhje ishin Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z.Gjeneral Jeronim Bazo, si edhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Gjatë prezantimit në komision, Ministrja Kodheli tha se ky plan, përcakton rrugën që duhet të ndjekin Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër dhe të Aleancës në NATO. Sipas saj, ky dokument përcakton udhën që duhet të ndjekin Forcat e Armatosura në kuadër të rreziqeve rajonale, por dhe atyre të cilat vinë si rrjedhojë e Aleancës së vendit tonë në NATO.

Znj. Kodheli theksoi se ky dokument përcakton përdorimin e burimeve, mekanizmat zhvillimore për rritjen e Sigurisë Kombëtare, si dhe logjistikën e buxhetin me të cilin duhet operuar.

Gjithashtu, Ministrja e Mbrojtjes sqaroi pikat kryesore ku bazohet plani gati 10-vjeçar, i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.

“Është hera e parë që një plan i tillë vjen në Kuvend. Ligji vjen natyrshëm, pas miratimit të strategjive për Ushtrinë tokësore e detare. Shqipëria, pjesë e Aleancës së NATO-s dhe si rrjedhojë ky dokument merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi është pjesë e qasjes strategjike që Shqipëria i bënë aleancës”, - tha znj. Kodheli.

Ministrja Kodheli shtoi se dokumenti ka një rëndësi thelbësore në përcaktimin e planifikimit strategjik të ushtrisë shqiptare. “Dokumenti cakton prioritetet e FA, plani cakton një strategji të qartë të misionit të ushtrisë sonë lidhur me rreziqet që kanosin vendin dhe Aleancën. Përcakton përdorimin me racionalitet të burimeve dhe cakton zhvillimin e kapaciteteve lidhur me Sigurinë Kombëtare. Orienton ngritjen e kapaciteteve zhvillimore të ushtrisë sonë, në bazë të Strategjisë ushtarake dhe kombëtare të mbrojtjes. Dokumenti është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, - nënvizoi znj. Kodheli.

Sipas Ministres së Mbrojtjes dokumenti ndikon edhe në përmbushjen e marrëveshjes me NATON-n për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, që do të shkojë në vlerën e 1%. Relatori i çështjes, Deputeti socialist, Arben Çuko u shpreh se dokumenti është i pari në vendin tonë, që prej vitit 1992, që paraqitet në formë ligji dhe merr vlera studimore, ndërsa për Gjeneralin Jeronim Bazo, ky dokument risi të saj ka ndryshimin e objektivave të vendit tonë dhe strategjisë së sigurisë së saj, në kuadër dhe të Aleancës në NATO dhe kohëzgjatjes së saj.


Share