Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi seancë dëgjimore me Ambasadorin Gjerman në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann, për çështjen e azilkërkuesve shqiptar në Gjermani, si dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shqipërisë.

  • Postuar më, 09/11/2015

Komisioni për Politikën e Jashtme ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me Ambasadorin Gjerman në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann, për çështjen e azilkërkuesve shqiptar në Gjermani, si dhe  marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Fillimisht, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z.Helmut Hoffman tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe prova për këtë ishte vizita e Kancelares znj. Angela Merkel, me 8 korrik në Shqipëri. Gjatë seancës dëgjimore, ambasadori z. Hoffman u ndal  tek  çështja e azilkërkuesve, duke thënë se  disa persona kanë pasur profesione të mira në Shqipëri, por thjesht duan që të ikin nga Shqipëria. “Ne e kemi absolutisht të qartë që shqiptarët nuk kërkojnë azil në Gjermani, ajo çfarë ato kërkojnë është vende pune. Për këtë arsye Gjermania, qeveria dhe parlamenti, kanë vendosur ta hapin tregun e punës gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor”, sqaroi ambasadori z.Helmut Hoffman. Z. Hoffman  kërkoi  që çështja e azilkërkuesve, të lihet jashtë debatit partiak. Gjithashtu, z. Hoffman tha se autoritetet shqiptare kanë filluar të bëjnë përpjekje dhe plane, në rast se refugjatët do të fillojnë të lëvizin drejt Shqipërisë. Duke u  ndal tek Reforma në Drejtësi, Hoffman u shpreh se kjo është një reformë me shumë rëndësi, po ashtu edhe vendosja e shtetit ligjor. “Sigurohuni që Reforma në Drejtësi të jetë kuptimplotë. Ajo që ka rëndësi është zbatimi i reformës. Korrupsioni është një problem i madh në drejtësi,  atëherë ky nuk mund të jetë rasti që gjyqtarët të mbeten të paprekur”,- u shpreh ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Helmut Hoffman. Më tej, z. Hoffman theksoi se Gjermani mbështet integrimin e Shqipërisë në BE,por nuk ka një datë të caktuar për hapjen e negociatave. Në përfundim, znj Dade u shpreah se: “Komisioni i Punëve të Jashtme është jashtë llogoreve të konfliktualitetit të politikës në përgjithësi, por komisioni bën punën e tij, komform autoritetit që i njeh ligji, për të monitoruar Ministrinë e Punëve të Jashtme, por dhe institucionet e tjera që lidhen me implementimin e diplomacisë”. Gjithashtu, kryetarja e komisionit,znj.Dade  falenderoi ambasadorin për rolin që  Gjermania, ka luajtur këto 25 vjet, jo vetëm për zhvillimet demokratike në Shqipëri, por edhe në rajon.


Share