Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 06/11/2015

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e ekonomisë dhe shoqërisë civile.

Gjatë diskutimit për projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile”, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, vlerësoi nismën e qeverisë për krijimin e Këshillit Kombëtar, duke e konsideruar një model të munguar dhe një mundësi më shumë për përfshirje të shoqërisë civile. “Ne nuk kërkojmë ta fusim në sqetull shoqërinë civile, por duam ta kemi një partner social dhe real, e cila duhet të japë mendimin e saj të pavarur”, tha z. Klosi.

Sa i takon shpërndarjes së fondeve, ai solli në vëmendje projektet nga tetori 2010-2013, të Agjencisë për Mbrojtjen e Shoqërisë civile (AMSHC), ku fondet e adresuara ishin të përqendruara në pak duar. “Unë kam këtu të gjitha projektet që nga tetori i vitit 2010, kur AMSHC-ja ka filluar të funksionojë, e deri në prill të 2014-ës. Po të shikosh projektet, fatkeqësisht, në kohën kur ju e keni drejtuar këtë institucion, këto projekte kanë qenë të gjitha të përqendruara në pak duar. Në vitet 2010-2013 janë të përqendruara vetëm në 5 organizata, në 5 anëtarë të ish-institucionit që ju keni përfaqësuar. Vetëm 5 organizata kanë marrë pjesën më të madhe të këtij buxheti dhe të gjitha këto organizata janë krejtësisht të lidhura me pushtetin që ju përfaqësonit”, tha z. Klosi.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi deputetja Klodiana Spahiu, e cila theksoi rëndësinë e këtij projektligji si një nismë që do të rrisë transparencën dhe funksionin e shoqërisë civile në Shqipëri. “Është një projektligj që është filluar të punohet që në vitin 2013 dhe është nisur puna nga Ministria e Mirëqenies. Së pari ka si synim eliminimin e barrierave dhe krijimin e një mjedisi për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri. Kjo kërkon konsultime të gjera dhe sistematike me të gjithë aktorët. Ky projektligj është diskutuar dhe miratuar nga 140 organizata të shoqërisë civile që morën pjesë në Forumin e Organizatave të Shoqërisë Civile. Procesi i konsultimeve është mbështetur nga Ambasada Amerikane. Misioni i Këshillit Kombëtar është që të mundësojë dialog të rregullt dhe të strukturuar kuptimplotë të organeve shtetërore me përfaqësuesit e shoqërisë civile mbi çështje kyçe për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri. Unë shpresoj që të paktën qytetarët ta kuptojnë se ky është një organ këshillimor, nuk është një organ vendimmarrës”, theksoi znj. Spahiu.

Ndërsa në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike diskutoi deputetja znj. Albana Vokshi, e cila shprehu disa vërejte për projektligjin. “Në një zë të gjithë kanë qenë kundër variantit të sjellë nga qeveria. Por çfarë bëri qeveria ashtu si në rastin e lustracionit, vodhi draftin e shoqërisë civile, e ndryshoi atë sipas qejfit dhe interesave të saj dhe paturpësisht e prezantoi si version të saj. Edhe vetë titulli ishte një mungesë respekti dhe fyerje për shoqërinë civile. Pasi ata mendonin se ishte një këshill kombëtar i tyre dhe jo që qeveria po ngrinte një Këshill Kombëtar për shoqërinë civile që ta vinte atë nën tutelën dhe kontrollin e saj. Propozimet tona kolegët e mazhorancës i grisën dhe shkuan përsëri te versioni i qeverisë, i cili e do shoqërinë civile pa zë”, tha znj. Vokshi.

Ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim diskutoi deputetja Kejdi Mehmetaj, e cila përmendi risitë që sjell projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile”. “Projektligji garanton bashkëpunimin institucional me organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, në dobi të zgjerimit të demokracisë, konsolidimit të qeverisjes së mirë, rritjes së transparencës në vendimmarrjen publike, nëpërmjet përfshirjes më të mirë të shoqërisë civile në këtë proces, si dhe përcaktimin e parimeve dhe procedurave, në bazë të të cilave drejtohet dhe zhvillohet procesi i dialogut dhe i këshillimit në Këshillin Kombëtar për Shoqërinë Civile. Në ligj parashikohet qartësisht organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar për shoqërinë civile dhe përcaktimi i detyrave dhe kompetencave të tij. Parashikohen gjithashtu parimet në të cilat mbështetet procesi i dialogut dhe i këshillimit në Këshillin Kombëtar për shoqërinë civile. Ligji përcakton statusin dhe personalitetin juridik të Këshillit Kombëtar për shoqërinë civile si një organ kolegjial, këshillimor dhe autonom pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu është parashikuar se këshilli do të mblidhet së paku 3 herë ne vit. AMSHC-ja është institucioni, i cili do të kryej funksione ndihmëse dhe administrative për Këshillin, sipas parashikimeve të projektligjit dhe legjislacionit në fuqi”, theksoi deputetja Kejdi Mehmetaj.

Projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile” u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Për projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014” diskutoi edhe kryeministri z. Edi Rama i cili përmendi disa statistika për buxhetin faktit për vitin 2014. “Në 2014 të ardhurat u rritën me 398 milionë dollarë, shifër kjo më e madhe se sa ç’keni mbledhur ju si të ardhura të rritura në pesë vitet më të mira tuaja. Ne shlyem 340 milionë dollar borxhe të fshehura, të marra me dhunë nga kompanitë e kontraktuara për punime apo shërbime publike dhe fatmirësisht filluam procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit”, theksoi z. Rama. Kryeministri deklaroi më tej se nëpërmjet sistemit fiskal të aplikuar, në 2014-n , 13.500 infermierë e 3.300 mjekë kanë përfituar nga ulja e taksave. Gjithashtu, lista e barnave të rimbursueshme u shtua me 56 alternativa të reja. Sa i përket investimeve në siguri, kryeministri vuri në dukje rritjen e pagave të policisë në masën 25 % dhe garantimin e statusit të posaçëm të kujdesit shëndetësor, ç’ka e cilësoi si vitin e kthesës historike të Policisë së Shtetit.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike diskutoi deputeti Ridvan Bode, i cili theksoi se të ardhurat në buxhetin vjetor kanë pësuar rënie. Z. Ridvan Bode tha se rritja e të ardhurave në vitin 2014 është barazuar me rritjen e taksave. “Vetëm me masat e taksave të reja, pati sipas përllogaritjeve pati një efekt neto prej 24 miliardë lekëve... efektet e ashtuquajtura miradministrim janë negative. Le ta lëmë qeverinë të lumturohet me dështimet e veta”, deklaroi z. Bode.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim diskutoi deputeti Përparim Spahiu i cili pohoi se ekonomia shqiptare gjatë vitit 2014 ia doli të ecë përpara. “Pas këtyre zhvillimeve, ne, njerëzve që për profesion kemi shifrat e që detyra e të zgjedhurit në Kuvend na shtrëngon përgjegjësia publike t’i monitorjmë me kujdes  edhe më të veçantë ato, na lind e drejta të themi se vendosja e një sistemi të shëndetshëm të menaxhimit financiar, hapi rrugën e nevojshme për të lejuar krijimin dhe mbartjen e detyrimeve të prapambetura financiare, kryesisht ndaj biznesit, si edhe për të realizuar shlyerjen graduale të stokut të detyrimeve të krijuara tashmë. Duke analizuar ftohtë të gjithë pasqyrën e shifrave, Buxheti i vitit 2014 vlen të quhet detyrim i përmbushur”. Pa më të voglën mëdyshje. Sfida e madhe, ajo e të rikthyerit të mekanizmit gjigant të ekonomisë në një gjendje vitale, me frymëmarrje të plotë e të rregullt, u përmbush me sukses”, tha z. Cani. Ministri për Financat, z. Shkëlqim Cani tha se gjatë vitit 2014 ekonomia shqiptare shfaqi shenja përmirësimi, ku rritja ekonomike ishte në masën 2.1 %. “Në emër të grupit deklaroj se nuk do të deklaroj se ky është buxheti më i madh në historinë e ekonomisë shqiptare. Po në emër të grupit deklaroj se nuk do të deklaroj se ky buxhet është rritur në të ardhurat e veta më shumë se buxheti i Gjermanisë, Britanisë, Francës. Ne emër të grupit deklaroj se atë që kanë deklaruar kolegët e mi që në një vit të vetëm është rritur me 39.5 miliardë lekë  dhe është një buxhet që është rritur më shumë për 35 milionë dollarë se sa pesë buxhete rresht të qeverisë së “Berishës”. Po në emër grupi,  deklaroj që rritja e të ardhurave në vitin 2014 ka qenë më e larta në të gjithë historinë e demokracisë shqiptare, përjashto vitin 2008, ku kemi rrugën e Kukësit që ka harxhuar miliarda edhe me spekulime. Rritja ekonomike pas viteve rresht rënie, është dyfishuar dhe këtë e nxjerr nga fakti që në vitin 2013 rritja ishte 1,1 % dhe në vitin 2.1 %, pra është pothuaj dyfishim”, tha z. Cani.

Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014” u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi projektvendimin “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj bëri të ditur se deputeti z. Andrea Marto është caktuar anëtar i delegacionit të përhershëm në Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik me Detin e Zi në vend të deputetit z. Erjon Braçe. Gjithashtu znj. Mesila Doda do të  jetë anëtare në Komisionin për Punën. Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Deputeti z. Eduart Ndocaj do të jetë anëtar i përhershëm në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit si dhe anëtar zëvendësues në Komisionin për Integrimin  Europian.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 01: 23 të datës 6 nëntor 2015.


Share