Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht Z/Presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, znj. Valentina Leskaj merr pjesë në debatin e Komitetit Politik të KiE për çështjen e Kosovës.

  • Postuar më, 04/11/2015

Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht Z/Presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, znj. Valentina Leskaj merr pjesë në debatin e Komitetit Politik të KiE për çështjen e Kosovës N/Kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht Z/Presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, znj. Valentina Leskaj, mori pjesë në debatin e Komitetit Politik te KiE për çështjen e Kosovës, ku u zhvillua në Paris, takimi i radhës i Komitetit Politik të KiE-së, gjatë të cilit u paraqit raporti për Kosovën nga Raporteri i saj, z. Agustin Conde. Në fjalën e saj, Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj, nënvizoi domosdoshmërinë që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së me të drejta të plota. “Kjo do të ishte një nxitje dhe inkurajim për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e integrimit evropian, një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin e mbarë rajonit dhe perspektivën evropiane të të gjithë vendeve të rajonit. Kosova ka arritur një progres në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, të të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë së këtyre standardeve. Anëtarësimet e deritanishme të Kosovës në institucionet financiare botërore, por sidomos nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i menjëhershëm i saj nga Parlamenti i Kosovës, dëshmojnë për një vullnet të palëkundur politik drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara”, vlerësoi znj. Leskaj. Në përgjigje, ndaj ndërhyrjes së deputetes serbe mbi raportin, znj. Leskaj përmendi faktin se në të gjithë procesin e rëndësishëm dhe të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka shfaqur vullnet të qartë politik duke nënshkruar disa marrëveshje dhe duke i qëndruar opsionit të dialogut të hapur për të gjitha çështjet. Znj. Leskaj nënvizoi se ky qëndrim përmirëson jo vetëm klimën e raporteve dypalëshe Kosovë-Serbi, por edhe ndikon në qëndrueshmërinë e stabilitetit në rajon. Në vijim znj. Leskaj shtoi se, gjuha e përdorur nga deputetja serbe nuk përkon me frymën e KiE dhe nuk kontribuon për paqen, stabilitetin dhe dialogun në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. “Këtu duhet të ofrohen modele pozitive: Një grup i madh studentësh serbë qëndruan gjatë në familjet shqiptare. Si studentët, ashtu edhe futbollistët e përfaqësueses serbe,  deklaruan në mediat vendase dhe të huaja se u ndjenë shumë mirë në Shqipëri”, theksoi Nënkryetarja e Kuvendit znj. Leskaj, duke shtuar se kjo bën që në rajonin tonë të fryjë era e bashkëpunimit dhe komunikimit mes vendeve dhe popujve. Në mbyllje të fjalës së saj, znj. Leskaj nënvizoi sërish se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ndihmonte Kosovën në mënyrë të veçantë në vazhdimësinë e reformave dhe atë të forcimit te ligjit. Fjala e plotë  e N/Kryetares së Kuvendit dhe njëkohësisht Z/Presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, znj. Valentina Leskaj Dëshiroj të falënderoj Raporterin për angazhimin serioz dhe përpjekjet e tij për të na dhënë një pasqyrë të plotë mbi atë ç’ka ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë, në një periudhë të shkurtër, më pak se një muaj nga tetori. Në raportin ende të pambaruar pas vizitës në Kosovë, takimeve dhe kontakteve në Prishtinë, duket një vlerësim i përgjithshëm i disa fakteve evidente dhe të impaktit të tyre pozitiv në Kosovë. Mendoj  dhe shpresoj se raporti i përfunduar do të forcojë bindjen e përgjithshme se është një demokraci që po konsolidohet. Çfarë dëgjova këtu nga kolegia serbe më vë përpara pyetjes se gjuha e përdorur në Këshillin e Evropës nëse kontribuon për paqen dhe stabilitetin, për dialogun, zgjidhjen apo për konfliktin. Unë vij nga një vend ku lojtarët e futbollit të ekipit serb deklaruan se u ndjenë shumë mirë në Shqipëri dhe ndërkohë të njëjtën gjë deklaruan studentët serbë të cilët ndenjën në familjet shqiptare. Unë besoj që nuk duhet të përdorim këto modele për rajonin tonë që sjellin erën e bashkëpunimit, komunikimit, por është e vështirë të kuptoj gjuhën  që u përdor këtu. Unë do të shpresoja se ky nuk është qëndrim zyrtar dhe se nuk jemi këtu t’i tregojmë gishtin njëri-tjetrit, por do gjemë mundësitë e të kontribuojmë për dialog, paqe dhe stabilitet te rajoni dhe ky është roli i KiE. Kosova ka ndjeshëm një progres në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë së këtyre standardeve. Zgjedhjet e fundit ishin një provë e maturimit të shoqërisë dhe politikës në Kosovë: Njerëzit votuan të lirë dhe administrimi i zgjedhjeve u krye sipas standardeve të kërkuara. Si rezultat i përmbushjes së kushteve integruese për në BE, Kosova nënshkroi javën e kaluar MSA-në dhe Parlamenti i Kosovës, me një vullnet të qartë politik e ratifikoi menjëherë atë. Kosova është pranuar tashmë nga IMF, ËB, EBRD me të drejta të plota. Marrëdhëniet e saj me këto institucione të rëndësishme të financave dhe të ekonomisë botërore po zhvillohen normalisht tashmë. Anëtarësimi i saj në Bankën e KiE-së dhe në Komisionin e Venecias përmbush edhe këtë dimension të munguar të bashkëpunimit të saj në arenën ndërkombëtare. Vendimi i fundit i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin e saj të plotë dëshmon një tjetër progres. Ndërkohë ne besojmë se përkundër çfarë u tha këtu do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në të gjithë procesin e rëndësishëm dhe të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka shfaqur vullnet të qartë politik duke nënshkruar disa marrëveshje dhe duke i qëndruar opsionit të dialogut të hapur për të gjitha çështjet. Ky qëndrim përmirëson jo vetëm klimën e raporteve dypalëshe Kosovë-Serbi, por edhe ndikon në qëndrueshmërinë e stabilitetit në rajon. Unë besoj se KiE ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, i cili duhet të vazhdojë të forcohet. Në rrugën e saj për të përmbushur reformat e nisura mbi shtetin e të drejtës, Kosova po dëshmon vullnet dhe vendosmëri politike. Në këtë proces bëhet e nevojshme ndihma e KiE në mënyrë të veçantë në vazhdimësinë e reformave dhe të forcimit të ligjit. Duke marrë në konsideratë arritjet e saj të deritanishme, anëtarësimi i saj me të drejta të plota në KiE do të ishte një nxitjen dhe inkurajimin për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e integrimit të saj evropian. Ky hap është i rëndësishëm për stabilitetin e mbarë rajonit dhe perspektivën evropiane të të gjithë vendeve të rajonit.


Share