Komisioni hetimor i Kuvendit "Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqërore tregtare shtetërore, për periudhën 15 shtator 2013 - 30 shtator 2015" diskuton për Rregulloren e Komisionit

  • Postuar më, 03/11/2015

Komisioni hetimor i Kuvendit "Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqërore tregtare shtetërore, për periudhën 15 shtator 2013 - 30 shtator 2015" diskutoi dhe miratoi Rregulloren e Komisionit. Deputeti i opozitës, z. Luçiano Boçi, propozoi ndryshime në nenin 8 të Rregullores, duke kërkuar që vendimet përfundimtare të mund të merren edhe nëse votat janë të barabarta. “Rregullorja në tërësi është e pranueshme, megjithatë tek neni  8, që   përcakton kuorumin dhe vendimmarrjen, unë kam një kërkesë.  Në pikën 4,  përcaktohet se në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, atëherë propozimi quhet i rrëzuar. Ndoshta kjo është praktikë ligjore e vendosur në shumë rregullore, por ajo që unë do të kërkoja, është që duke qenë se ky është një komision hetimor i kërkuar nga opozita dhe për faktin që mazhoranca dominon, unë kërkoj që në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, atëherë vendimi të quhet i miratuar dhe jo i rrëzuar”, tha z. Boçi. Por deputeti i PS-së, z. Ulsi Manja u shpreh kundër këtij propozimi, duke kërkuar që të ruhet propozimi fillestar i saj. “Në parim jemi dakord me Rregulloren e brendshme të punës së këtij komisioni. Rregullorja në  vlerësimin tonë është në përputhje me neni 77. 2 të Kushtetutës,  të ligjit për komisionet hetimore dhe të Rregullores  së Kuvendit. Ne jemi pro kësaj rregulloreje”, tha z. Manja.


Share