Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit"

  • Postuar më, 02/11/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”. I ftuar ishte Zv.Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Ervin Mete si dhe përfaqësues të tjerë nga MZHETS.

Duke prezantuar projektligjin, z. Mete tha se krijimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit, do të bëjë të mundur bashkimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrën Kombëtare të Licencimit, me idenë e krijimit të një dritareje të vetme, duke konsoliduar pikat e kontaktit që ka biznesi, për të filluar një veprimtari dhe për t’u licencuar në fusha të veçanta.

“Është një nga reformat që ne kemi planifikuar në programin e reformave ekonomike të dakordësuar me BE-në. Është një nga ato pika që na përmirëson në renditjen e “Doing Business”, sepse shkurton procedurat dhe takimet administrative. Njëkohësisht krijon edhe një sërë lehtësirash të rëndësishme për biznesin. Ndër to, do të veçoja ofrimin e shërbimit të QKL-së, pra të licencimit në të gjithë territorin, duke qenë se do të bashkohen veprimtaritë edhe fizikisht, jo vetëm ligjërisht. Do të krijohet mundësia që në të njëjtat sportele ku sot ofrohet shërbimi i QKR-së, por që ofrohet vetëm pjesërisht shërbimi i QKL-së, sepse nuk ka nevojë në të gjithë territorin, do të bëhet e mundur që licencimi tashmë të ofrohet në të gjithë vendin”, - tha z. Mete.

Zv.Ministri shpjegoi se projektligji do të krijojë mundësinë e një dritareje të vetme edhe elektronike. Procedurat do të bëhen on-line në të dy institucionet ekzistuese deri më sot, por tashmë bashkimi do të bëhet on-line nëpërmjet një dritareje të vetme elektronike. Ky draft ofron mundësinë edhe të këshillimit të qendërzuar.

Pas prezantimit anëtarët e komisionit kanë diskutuar dhe u kanë drejtuar pyetje të ftuarve për çështje që kanë të bëjnë me këtë projektligj.


Share