Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi amendamentin e propozuar nga deputeti z. Taulant Balla, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në RSH”.

  • Postuar më, 02/11/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi amendamentin e propozuar  nga deputeti z. Taulant Balla, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në RSH”. Gjatë mbledhjes, komisioni u  njoh me relacionin e paraqitur nga dy deputetët  z. Musa Ulqini dhe z.Luçiano Boçi. Në fjalën e tij, z. Ulqini  theksoi se: “Pasi jemi njohur me shkresën e tri institucioneve që monitorojnë problemet e zhvillimit të medias në Shqipëri, ne jemi tërhequr nga ky propozim. Ky ligj është bërë dhe me kontributin e faktorit ndërkombëtar”. Ndërsa, deputeti Luçiano Boçi, nënvizoi se opozita e ka parë më syrin kritik propozimin e sjellë nga z. Balla. “Ne kemi kërkuar dhe opinionin e institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë asistuar ligjin për median. Qëndrimi ynë ka qenë në sinkron me qëndrimin e ndërkombëtare dhe ne jemi kundër amendimit të  nenit 62”- tha z. Boçi. Më pas, kryetari i komisionit, z. Pollo, sqaroi se për plotësimin e vendeve  vakante për anëtarë të AMA-s, në komision  janë depozituar  gjithsej 26 kandidatura. “Një kandidaturë është dorëhequr, katër tjerat janë të parregullta për çështje afati dhe kanë ngelur 21 kandidatura të rregullta. Ka kandidatura që kanë plotësuar dosjet, por kanë mangësi teknike”- u shpreh z. Pollo.


Share