Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014”, ndërsa shqyrtoi dhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2014”.

  • Postuar më, 02/11/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014”, ndërsa shqyrtoi dhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2014”.

Ministri për Financat z. Shkëlqim Cani tha se, ekonomia shqiptare shfaqi shenja përmirësimi gjatë 2014-ës, ku vlera e shtuar pati rritje me 2.1 %. “Të ardhurat arritën në 366,7 miliardë lekë, 12% më shumë krahasuar me 2013¬ën, ndërsa krahasuar me Prodhimin ë Brendshëm Bruto rritja ishte 26.3%. Të ardhurat tatimore u rritën me 24.1% të PBB¬së, kjo vlera më e lartë që nga 2008, duke bërë të mundur që të ndryshohej trendi negativ i dy viteve të mëparshme. Në total,rritja ishte sa e pesë vite të mëparshme”, tha z. Cani.

Sa i përket shpenzimeve, Ministri për Financat tha se ato u realizuan në masën 96.2%. Ndërsa konfirmoi se të ardhura vjetore panë dy rishikime: fillimisht me 3.2 miliardë lekë, më pas në nëntor të 2014, me 2 miliardë lekë në krahasim me planin fillestar vjetor të hartuar. “Sa i përket shpenzimeve korrente, gjatë 2014 zunë gati 78%, ku 40% e totalit, ku pjesa më e madhe janë shpenzuar për infrastrukturën rrugore dhe mirëmbajtje. Shpenzimet vendore arritën në 14 miliardë lekë, shifër kjo më e larta e 10 viteve të fundit”, tha Cani. Ministri sqaroi se shpenzimet kapitale u realizuan në masën 91.8% të planit vjetor, ndërsa deficiti faktik u realizua në 81.5% dhe borxhi publik ka arritur në 69.11% të PBB-së.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj tha se : “Elementi më negativ si gjetje e raportit të auditivit, mbi buxhetin e 2014, është fakti se deficiti buxhetor është më i lartë se shpenzimet kapitale”. Z.Bujar Leskaj deklaroi se buxheti mbetet larg karakteristikave të një buxheti kredibël. “Në treguesit fiskalë të realizimit të buxhetit të vitit 2014, kemi konstatuar aspekte mbi të cilat ne shprehemi me rezervë, por në përfundim, nisur nga niveli i materialitetit, nuk mendojmë se këto aspekte cenojnë shifrat e buxhetit faktik të vitit 2014. Përpjekjet pozitive që ka bërë Ministria e Financave në drejtim të formulimit të një strategjie moderne të menaxhimit të financave publike, janë larg situatës që konstatohet në praktikën. Viti 2014 ishte viti i parë i zbatimit të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”.

Kjo strategji bart një rëndësi të dyfishtë, pasi jo vetëm përcakton rrugën për rivendosjen e financave publike në trajektoren e qëndrueshmërisë afatgjatë, duke krijuar kështu parakushtet për rritjen ekonomike, por përbën edhe një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet me partneret ndërkombëtarë, në veçanti me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian. Vizioni i saj është garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efiçiencën në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike.  Viti 2014 njohu arritje në zbatimin e strategjisë, por edhe sfida ende të paplotësuara. Prandaj ne të gjithëve, Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve të pavarura na del për detyrë të punojmë më me angazhim dhe seriozitet për zbatimin e plotë të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”. Ndërsa nënkryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Ridvan Bode shprehu kritika për mënyrën e drejtimit të financave shqiptare. “Rritja ekonomike e vitit 2014 ka qenë shumë e dobët. Nuk është më e larta nga ajo, përkundrazi është nën nivelin mesatar. Vetëm shtesa e parave që qeveria ka marrë hua për vitin 2014, është 72 miliardë lekë. Kurse rritja e prodhimit bruto gjithsej është 43 miliardë lekë. Ka marrë për çdo 2 lekë ekstra të shpenzuar, 1 lek prodhim të ri. Kjo dëshmon efiçencë e dobët të përdorimit të fondeve publike dhe mungesën e sensit ekonomik në atë që është harxhuar gjatë vitit 2014. Niveli i papunësisë ka vijuar që të rritet dhe janë vetë dy vende që janë në të njëjtën terren, ndërkohë që vendet e tjera kanë pasur përmirësim të treguesve të vendeve të punës”, theksoi z. Bode.


Share