Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 29/10/2015

Nën drejtimin e Nënkryetares të Kuvendit, znj.Valentina Leskaj, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi  dy marrëveshje të rëndësishme.

Fillimisht, Nënkryetarja e  Kuvendit, znj. Leskaj  njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave. Më tej, Nënkryetarja  znj.  Leskaj, bëri me dije se  në mbledhjen e tij, Këshilli për Rregulloren,Mandatet dhe Imunitetin, u njoh rreth  vendimit  të KQZ-së, për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të radhës të listës shumemërore të PS-së në Qarkun  Lezhë, z. Eduart Ndocaj, për plotësimin e vakancës së njoftuar  nga Kuvendi, si pasojë e dorëheqjes  nga mandati të deputetit z. Arben Ndoka . Z. Ndocaj u betua përpara Kuvendit si deputeti më i ri i parlamentit shqiptar. Pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar, deputetët diskutuan lidhur me  projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së konsulencës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare”, ku deputeti i  PS-së, z. Anastas Angjeli  sqaroi se qëllimi i saj është që nëpërmjet shërbimeve të konsulencës, të ofruara nga IFC, të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit privat në vendin tonë, duke u fokusuar kryesisht në fushat e tregtisë, investimeve, mjedisit të biznesit dhe konkurrueshmërisë, veçanërisht në agrobiznes.

“Krijimi i një situate të re, më të mirë dhe lehtësuese për zhvillimin e biznesit,ç’ka na afron edhe kjo marrëveshje ,krijon më shumë liri ekonomike dhe ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe e kundërta ,nëse ne nuk ecim në këtë rrugë, shtohen pengesat,nxiten forca frenuese të zhvillimit të biznesit dhe të tregut që ngushtojnë  hapësirat e lirisë ekonomike, asfikson veprimtarinë e biznesit në vend, i cili është jo vetëm gjenerator i zhvillimit e punësimit, por edhe burim i të ardhurave për financat publike dhe ngushtojnë  hapësirat e lirisë ekonomike”, tha z. Angjeli.

Ndërsa, deputeti i PD-së, z. Ridvan Bode tha se opozita e  mbështet këtë marrëveshje, por nuk është dakord me masat e forta, antiligjore, selektive që qeveria ka ndërmarrë ndaj biznesit. “Shteti i ka krijuar  varfëri  tregut, nuk ka më  investimeve në biznes, nuk ka rritje ekonomike, ka rënie të makinerive të lëndëve të para, të pajisjeve, nuk ka më investime publike. Kemi  0.6 % rënie të punësimit”, tha z. Bode Ky projektligj u miratua me 100 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim.

Me 97 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.74/2015, “Për miratimin e marrëveshjeve, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k. dhe “Rapiscan Systems”, inc, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013”, si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit”

Në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Ervin Koçi bëri dhe një paraqitje të arsyeve që çuan në këtë nismë.

“Pas muajsh të tërë negociatash mes qeverisë dhe kompanisë koncensionare, me kërkesën e qeverisë që koncensionari të tërhiqej nga kjo kontratë, nuk u arrit në një emërues të përbashkët. Kompania koncensionare iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit ku kërkonte 350 mln dollarë nga Shqipëria për moszbatim të kontratës.  Përfaqësuesit tanë ligjore dhe zyra ligjore ndërkombëtare që bashkëpunuan për këtë çështje, i sugjeruan qeverisë zgjidhjen me mirëkuptim të kësaj kontrate. Nëse çështja do të shqyrtohej në Arbitrazh, humbja e 350 milionë dollarëve do të ishte e pashmangshme, shumë që do të paguhej nga buxheti i shtetit pa u ofruar shërbimi. Qeveria shqiptare filloi bisedimet me koncensionarin. Pas bisedimeve u kërkua rishikimi tërësisht i kësaj marrëveshje, me qëllim bërjen më të favorshme për vendin tonë.”, tha z. Koçi.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti Sherefedin Sheu shprehu kritika për mënyrën e menaxhimit të kësaj situate nga ana e qeverisë.

“Këto janë kontrata koncesionare dhe faji ju hidhet kontratave, faji u hidhet biznesit, pse shesin dhe blejnë aksione. Pse nuk shihni të vërtetën, pse mbahet peng kontrata e koncesionit? Pse nuk dalin para përgjegjësisë ata që nuk i kanë zbatuar kontratat e koncesionit, sepse po të ishin zbatuar këto kontrata, nuk do të kishim këtë nivel kontrabande. Po të ishin zbatuar këto kontrata nuk do të kishim këtë gropë fiskale. Kjo kontratë po rishikohet për herë të dytë. Po të ishin të sinqerta këto diskutime dhe debate që u bënë këtu, kjo çështje nuk duhet të vinte më për herë të dytë për t’u diskutuar në këtë seancë të Kuvendit. Kundërshtimi që opozita e atëhershme që i bëri kësaj kontrate, lidhej me faktin se kjo ishte një kontratë e cila ishte një ndër ato garanci që kërkoheshin në procesin e liberalizmit të vizave dhe të integrimit në Bashkimin Europian. Dhe synimi i vërtet i goditjes në atë kohë ishte pikërisht pengimi i procesit të integrimit dhe liberalizimit të vizave”, tha z. Shehu.

Në përfundim të seancës, kryesuesja e seancës, Valentina Leskaj njoftoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar deputetët, Olta Xhaçka, Evis Kushi dhe Andrea Marto, si anëtarë zëvendësues në Komitetin Parlamentar për Stabilizim Asociimin me Bashkimin Europian.

Seanca plenari i mbylli punimet në orën  17: 58.


Share