Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrton disa çështje të rëndësishme

  • Postuar më, 28/10/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi raportin e nënkomisionit “Për të drejtat e njeriut”, lidhur me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i RSH” të ndryshuar” si edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7895,datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”të ndryshuar.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin znj. Ermonela Felaj dhe zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Gentiana Sula.

Gjatë shqyrtimit të pikës së parë të rendit të ditës, kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, njëherësh anëtare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Vasilika Hysi, bëri prezantimin e raportit, ku ndër të tjera theksohej edhe procedura e ndjekur.

“Në zbatim të vendimit nr. 1 datë 20.07.2015, të Komisionit të Ligjeve, “Për procedurën paraprake të përzgjedhjes së anëtarëve të “Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”, me datën 16.10.2015, Nënkomisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ka zhvilluar një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtar “Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit.

Në seancën dëgjimore u paraqitën kandidatët e poshtëshënuar: Z. Altin Hoxha; Z.Darjet Sina; Z. Daut Gumeni; Z. Durim Grabova; Znj.Ermira Shtino; Z. Gjon Fierza; Z. Haqif Hysni Gjana; Z. Marenglen Kasmi; Z. Petrit Karabina; Z. Selami Zallim; Z.Simon Mirakaj.

Nënkomisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dëgjoj prezantimin e të gjithë kandidatëve të pranishëm, duke vlerësuar a) cilësitë profesionale dhe të performancës, bazuar në prezatimin dhe CV-në e tyre; b) kriteret ligjore; c) eksperiencën e mëparshme profesionale; d) motivimin për të kandiduar”,- thuhet në raportin e nënkomisionit.

Më pas deputetët e miratuan raportin duke i kaluar seancës plenare për shqyrtim. Krahas kësaj, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e vijuan shqyrtimin e neneve të mbetura të projektligjeve “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i RSH” të ndryshuar” edhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7895,datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”të ndryshuar. Në fund deputetët miratuan nenet e mbetura duke shtyrë votimin në tërësi për në seancë e ardhshme për ti dhënë kohë zbardhjes përfundimtare të ndryshimeve të bëra gjatë shqyrtimit nen për nen.


Share