Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Artan Lame

  • Postuar më, 28/10/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Artan Lame, lidhur me raportimin e punës së këtij institucioni për periudhën janar-tetor 2015. Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave /Ndërtimeve Informale (ALUIZNI-t) Artan Lame theksoi se legalizimi i ndërtimeve në zonat informale do të përfundojë brenda këtij mandati qeverisës. Nw vijim tw raportimit në komision, z. Lame vuri në dukje se deri në fund të vitit 2015, do të bëhen 20 mijë legalizime. Sipas tij, aktualisht janë kryer rreth 446 mijë vetëdeklarime për ndërtime pa leje që prej vitit 2005, nga të cilat rezulton se 100 mijë janë rideklarime për të njëjtin objekt, ndërsa 200 mijë janë ndërtime, që bëjnë pjesë në grupin e ndërtimeve në zonat informale dhe zonat urbane. Z. Lame deklaroi se në këto dy vite janë legalizuar rreth 40 mijë ndërtime dhe janë realizuar matjet për  rreth 124 mijë objekte. Në një kohë që nga vitit 2006-2013 rezulton të jenë legalizuar 21 mijë ndërtime, gjysma prej të cilave duhet të rianalizohen, pasi janë në kundërshtim me ligjin, tha ai. Kreu i ALUIZNI-t theksoi se procesi i legalizimit po zhvillohet në transparencë të plotë dhe është një proces që i hap rrugë zhvillimit të vendit.


Share