Komisioni për Ekonominë e Financat miratoi në tërësi p/ligjin “Për një shtesë në ligjin nr.74/2015 ‘Për miratimin e marrëveshjeve mes Ministrisë së Financave dhe shoqërive ‘S2 Albania’, sh.p.k. dhe ‘Rapiscan Systems’”

  • Postuar më, 27/10/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në tërësi projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.74/2015 “Për miratimin e marrëveshjeve, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k. dhe “Rapiscan Systems”, Inc, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me ligjin nr. 123/2013”, si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit”.

I ftuar në mbledhje ishte edhe Ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Kryetari i komisionit, Erion Braçe i kërkoi Ministrit rishikimin e marrëveshjeve koncensionare.

“Koncesionet e disa shërbimeve ofrojnë shërbime mizerabël”, - deklaroi z. Braçe. Ai përmendi disa prej tyre konkretisht atë të kasave fiskale, markimin e karburanteve, pullave fiskale. Sipas z. Braçe, nëse kompanitë nuk përmbushin detyrimet e kontratës atëherë duhen ndërmarrë veprimet që parashikon ligji.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se me një pjesë të kompanive janë në proces rinegociatash të marrëveshjeve. “Ndaj dhe duhet t’u japim kohën e duhur negociatave. Ministria e Financave ka planifikuar audit për të gjitha këto kompani”.

Ndërsa deputeti i PD-së, Ridvan Bode mbrojti marrëveshjet koncesionare të arritura nga qeveria e mëparshme dhe akuzoi qeverinë aktuale për mosefiçencë.

Ministri i Financave tha se pas rinegociimit është arritur përjashtimi i rreth 154 mijë deklaratave doganore.

“Biznesi ka ngritur shqetësim në lidhje me pagesën e tarifës së shërbimit të skanimit për disa deklarata doganore, të cilat duhet të jenë të përjashtuara, pasi konstatohen raste të pagesës së tarifës së shërbimit dy ose më shumë herë për të njëjtin mall, në varësi të deklaratave doganore që shoqërojnë vendosjen e këtij malli, në procedura të ndryshme doganore”, - tha z. Cani.

Për të lehtësuar biznesin, që të mos paguajë tarifën e shërbimit dy ose më shumë herë, në funksion të uljes së kostove të bizneseve importuese në vend, si dhe për të përshtatur e harmonizuar qëllimin e këtij ligji me procedurat doganore sipas legjislacionit doganor në fuqi, është paraqitur një shtesë në ligj, në të cilën përcaktohet se, pavarësisht nga veprimet që do të kryhen në doganë, për një mall do të paguhet vetëm një herë tarifa e skanimit.

Deklaratat doganore që do të përjashtohen nga kjo pagesë, sipas procedurave doganore specifike janë: mallrat e vendosura në regjimin e tranzitit, kur ky regjim përfundon në një zyrë doganore shqiptare për të marrë një destinacion tjetër doganor; mallrat që dalin nga regjimi i magazinimit doganor drejt një destinacioni tjetër doganor, me përjashtim të rieksportit; mallrat që vendosen në qarkullim të lirë, pas vendosjes në regjimet doganore pezulluese; transferimet nga një regjim pezullues /ekonomik në tjetrin; importet rastësore të mallrave me natyrë jotregtare (deklarata të thjeshtuara).

Pas debateve komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin.


Share