Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore grupet e interesit

  • Postuar më, 27/10/2015

Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore me shoqërinë civile dhe grupet e interesit për projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për shoqërinë civile”.

Gjatë seancës dëgjimore, Avokati i Popullit  deklaroi se Këshillit Kombëtar duhet të funksionojë i pavarur nga qeveria. “Vlerësojmë ngritjen e Këshillit Kombëtar për shoqatat civile. Do të rrisë komunikimin mes shoqatave civile dhe qeverisë. Ky këshill të funksionojë i pavarur nga qeveria dhe të ketë sekretariat teknik të pavarur. Të mbahen në konsideratë modelet e vendeve të huaja. Këshilli të bëjë publike aktivitetet, rekomandimet në një faqe ëeb të tijën. Në krye të mos ketë përfaqësues nga qeveria, të jetë nga shoqëria civile i zgjedhur prej tyre. Përbërja të jetë me përfaqësues vetëm nga shoqëria civile, të tjerët të jenë vetëm në rolin e vëzhguesve. Nevojiten ambiente dhe buxhet të caktuar. Nga studimi shohim me vend të përfaqësohen gjerësisht gjithë rajonet e Shqipërisë. Këshilli të ketë në fokus edhe të drejtat e njeriut. Ky këshill të punojë i qetë nga çdo aspekt”, tha z. Totozani.

Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj tha se Këshilli është organ këshillimor dhe do ishte mirë të ketë përfaqësues nga qeveria.

“Është mirë që të dëgjohen, por shumica duhet të jetë e shoqërisë civile dhe gjithçka që do të vendoset, do të hidhet në letër dhe është ajo që do të komunikohet. Është ky vendim që do të shkojë pranë organeve, nuk ka nevojë për të pasur një kryetar që të përfaqësojë këtë këshill. Kjo do të dëmtojë thelbin. Aq më tepër këtu është imponuar që kryetari duhet të jetë një ministër dhe duket sikur anëtarët e tjerë humbasin çdo vlerë. Ka edhe një lloj diskriminimi në formën e një mbështetje të pajustifikuar për nënkryetarin”, tha znj. Meçaj. “Duke lexuar ligjin për fat të keq, sidomos ne që jemi në shoqërisë civile, na shqetëson ajo që pjesa e pavarësisë së shoqërisë civile dhe pamundësia për ta pasur këtë pavarësi.  Kam përshtypjen se nuk njihet pozicioni i shoqërisë civile nga politikanët akoma. Kemi pak a shumë një ligj i cili më shumë kufizon , pavarësisht se qëllimet i ka të mira. Është një tendencë për ta centralizuar në politikë, për ta quajtur edhe shoqërinë civile nën ombrellën e politikës. Është një tendencë shumë e frikshme”, tha znj. Ballauri Kryetarja e Komisionit për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, znj. Albana  Vokshi u shpreh se modeli më i mirë për t’u aplikuar për përzgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli do të ishte ai kroat. “Unë personalisht kam qenë për t’u marrë modeli kroat që e lë vetë shoqërinë civile t’i bëjë vetë lajmërimet, publikimet përzgjedhjet, të gjithë anëtarëve nga shoqëria civile. Pra nëse bazohemi te modeli kroat, le t’i bazohemi deri në fund këtij modeli dhe shoqëria civile t’i përzgjedhë vetë dhe të mos kalojë përmes AMSHC-së”, tha znj. Vokshi.


Share