Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi në tërësi projektligjin “ Për eficencën e energjisë”

  • Postuar më, 26/10/2015

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi në tërësi projektligjin “ Për eficencën e energjisë”. Të ftuar ishin Zv.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie. Duke folur para anëtarëve të komisionit, z. Bejtja tha se kjo nismë ligjore përmban ndryshime themelore në raport me ligjin ekzistues të miratuar në vitin 2005.

Sipas tij, ky ligj pati problem në zbatimin e tij, për shkak se nuk u bë një ndarje e qartë e përgjegjësive institucionale për monitorimin dhe zbatimin e tij. Shumica e akteve nënligjore të parashikuara nga ky ligj nuk dolën asnjëherë, disa nuk u miratuan, ndërsa ligji nuk gjeti mbështetje institucionale as për ngritjen e kapaciteteve publike dhe teknike duke mos u miratuar një fond eficenca e energjisë.

Drafti në fjalë, sjell objektivin kombëtar për reduktimin me 11% të konsumit deri në vitin 2020, duke marrë në konsideratë kapacitetin, realitetin teknik e teknologjik të Shqipërisë dhe mundësitë e aplikimit të ligjit.

Sipas zv.ministrit Bejtja, ky ligj synon të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me burime energjetike nëpërmjet kursimit në konsum. Z. Bejtja shpjegoi se synohet ulja e varësisë nga importet e energjisë, transformim eficent të burimeve primare të energjisë tek konsumatori fundor.

Gjithashtu, zv.ministri sqaroi se ligji është i rakorduar edhe me Direktivat e Paketës së Tretë të Komunitetit Europian. Pas diskutimeve për çështje të energjisë elektrike mes deputetëve dhe të ftuarve, projektligji u miratua në tërësi.


Share