Komisioni për Integrimin Europian miraton dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 14/09/2015

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dhe miratoi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi punës i RSH” të ndryshuar”.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin ekspert nga Ministria e Integrimit.

Projektligji i parë, ai “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët” bëhet i mundur pjesëmarrja e Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët”, duke kontribuar në të kuptuarit e qytetarëve, historinë e BE-së, të diversitetit; për të nxitur qytetarinë evropiane dhe për të përmirësuar kushtet për pjesëmarrje qytetare e demokratike, për të rritur ndërgjegjësimin e kujtesës, historisë dhe vlerave të përbashkëta , duke zhvilluar të kuptuarit nga qytetarët të procesit të vendimmarrjes politike të BE-së e duke promovuar mundësi për angazhim shoqëror, ndërkulturor dhe për vullnetarizëm.

Ndërsa projektligji i dytë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi punës i RSH” të ndryshuar” pasqyron propozimet e paraqitura nga partnerët socialë, problemet që kanë dalë gjatë zbatimit në praktikë të dispozitave të Kodit të Punës, disa elemente të rëndësishme të acquis communauitare, për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndalimin e diskriminimit si dhe mbrojtjen e veçantë të grave e rekomandimet e Komitetit të Ekspertëve të së Drejtës Sociale të Këshillit të Evropës, bazuar në raportet kombëtare të Shqipërisë për zbatimin e Kartës Sociale Evropiane të Rishikuar dhe të Komitetit të Ekspertëve të ILO-s për zbatimit e Konventave dhe Rekomandimeve të ILO-s.


Share