Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 27/07/2015

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi dhe miratoi projektligjin “Për turizmin”.

Në prezantimin e këtij projektligji, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj deklaroi se ligji i ri garanton zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm të turizmit. “Ligji ka futur një koncept të ri, por jo sipas traditës , të zonave me përparësi turizmin. Nëse një qeveri vendos që ta bëjë turizmin një sektor prioritar ku promovon investimet e huaja dhe punësimin, sigurisht që këndvështrimi do të jete i drejtpërdrejtë, nga pushteti qendror në harmoni me pushtetin vendor, dhe zona me përparësi turizmin e bën  këtë, pra merr në dorë zhvillimin e integruar, sepse koncepti i kundërt i zhvillimit kaotik është koncepti i integruar. Si bëhet zhvillimi i integruar? Këndvështrimi ynë është ky që paraqitet në ligj, pavarësisht se ju keni kundërshtimet tuaja. Grupi i mazhorancës është shumë i qartë se zona me përparësi turizmin është një instrument i drejtpërdrejtë i zhvillimit të integruar të dhe të qëndrueshëm të turizmit, është një koncept që shkon drejtpërsëdrejti kundër “golemizimit””, tha z. Ahmetaj

Z. Ahmetaj shtoi se ligji i ri për Turizmin është një garanci më shumë për investitorët. “Ligji synon që ta lehtësojë investitorin në marrëdhënie me pronarët dhe ka një këndvështrim komplet tjetër nga ajo që keni pasur deri më sot. Jo vetëm që shpronësimi për interes publik i vendosur në ligjin e investimeve strategjike i referohet ligjit të shpronësime dhe që është ligji bazë, gjë që është e rëndësishme, duke iu referuar nëse doni dhe vlerës së tregut, por jep mundësinë dhe shteti asiston në një negociatë të mundshme  me pronarët. Dhe, në qoftë se aty kemi një gangrenë 22-vjeçare ku toka nuk është regjistruar, atëherë detyrohet ZRPP me këtë ligj që brenda 3 muajve të bëjë regjistrimin fillestar sepse pronësia mbi tokën është një nga problemet kryesore të pasigurisë juridike, nëse doni. E pra, këto ka instrumente të cilët e forcojnë. Patjetër që ka debat për një ligj, patjetër që ka elementë që çdo herë, për shkak dhe të dinamikës së zhvillimit një ligj mund të përmirësohet por, ky draft ligj i sjellë këtu nga qeveria i përgjigjet, në mos të themi të gjithave, shumicës së gjithë shqetësimeve apo arsyetimit që ka qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta për zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm të turizmit”, theksoi z. Ahmetaj.

Deputeti i Partisë Socialiste, z. Bashkim Fino u shpreh se përmes këtij projektligji, Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori. “Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, tha z. Fino.

Duke shprehur dakordësinë për nismën në fjalë, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Robert Bitri paraqiti dy amendamente. “Pas mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Ministrin e Turizmit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim kishte dy amendamente, të cilat i diskutoi me Ministrin dhe në nenin 17 pika 3, Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, do të ngrihet me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin dhe përbëhet nga 5 anëtarë dhe në nenin 44, klasifikimi i strukturave akomoduese. Në pikën 5 të ndryshohet si më poshtë: “kushtet, kriteret, afatet dhe tarifat si dhe procedurat për klasifikimin e strukturave akomoduese, përcaktohen me rregulloren përkatëse dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”. Duke paraqitur këto dy amendamente me këto dy ndryshime në këtë ligj, ne mendojmë se e përmirësojmë më mirë problemin e zgjidhjes së dy nga gjërave më të mira që ka ky ligj, ngritjen e Komisionit të Standardizimit të Veprimtarive Turistike dhe njëkohësisht ngritjen e këtyre standardeve në nivel më të lartë duke i klasifikuar ato nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave”, tha z. Bitri.

Deputeti i Partisë Demokratike, z. Edmond Spaho u shpreh se projektligji i propozuar nga mazhoranca nuk e kthen turizmin në prioritet në ekonominë e vendit. “Klasa politike ka gabuar me politikat e turizmit. Turizmi është parë si një lopë për t’u mjelë. Nuk ka nevojë të shpikim në fushën e turizmit, por le të zbatojmë modelet e suksesshme. Kemi vetëm një fshat turistik në Kavajë të ndërtuar në vitin 1994. Qëllimi i çdo ligji për turizmi duhet të jetë zhvillimi i kësaj pasurie në interesin tonë. A e siguron këtë projektligji? Mendoj që jo. Asnjë ligj i miratuar nuk ka qenë mbi nivelin e miratuar në vitin 1993. Ligji përpiqet t’i bëjë të gjitha, por nuk zgjidh asnjë prej problemeve. Nuk u jep garanci investitorëve të huaj. Ligjet nuk kanë garantuar dot zhvillim të turizmit dhe pavarësisht se flitet për 4 milionë turistë në vit, po të zbresësh emigrantët dhe kosovarët, turistë të huaj mbeten pak. Ditën që Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, turizmi do të njohë tkurrje të ndjeshme. Propozoj të mos miratohet ligji dhe të shikoni ligjin e vitit 1993”, u shpreh z. Spaho.

Deputeti i Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu akuzoi qeverinë për mungesë investimesh, ndonëse sipas tij, Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike. “Nuk është bërë asnjë investim serioz për turizmin. Ne duhet të bëjmë ligje që rritin investimet, pasi kemi potencial të jashtëzakonshëm në turizëm. Garancia juridike pengon investitorët. Mazhoranca duhet të reflektojë qëndrimet e saj për të mos sulmuar sipërmarrësit që po largohen çdo ditë, duke rritur numrin e të papunëve. Ata pak investitorë që kanë filluar investimet sot kanë dyfishin e taksave, dhe nuk parashikojnë dot shlyerjen e kredive”, tha z. Mediu. Pas diskutimeve, projektligji “Për turizmin” u miratua me 79 vota pro, 13 kundër dhe asnjë abstenim.

Në fund të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta njoftoi deputetët se sesioni i ri parlamentar fillon më 07.09.2015.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 22:35.


Share