Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 23/07/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme në luftën kundër lëndëve narkotike dhe në fushën ekonomike. Fillimisht, Kuvendi shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”, i cili u miratua me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Duke folur për këtë marrëveshje, Kryeministri z. Edi Rama garantoi se lufta ndaj krimit është e pakthyeshme, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të Policisë së Shtetit. “Që nga janari e deri më sot të këtij viti Shqipëria ka më pak se 50 për qind të numrit të vrasjeve krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme. Jam shumë krenar kur gjendem përballë ndërkombëtarë dhe kur dëgjoj se çfarë thuhet për Ministrinë e Brendshëm dhe Policinë e shtetit shqiptar. Ky është fakt që edhe angazhimi i drejtpërdrejt i FBI-së për të punuar në terren në Shqipëri është pjesë e besimit të krijuar se më në fund qeveria, policia, ministria janë një kundër krimit dhe kundër shkeljes së ligjit. Ju bllokuat Byronë Kombëtare të Hetimit, por me ju ose pa ju ne do ta bëjmë atë. Bashkëpunimi me FBI ka nisur dhe nuk ka asnjë vijë ndarëse se kush janë tanët dhe kush janë tuajt”, - tha z. Rama. Deputeti i PD-së, z. Arben Ristani akuzoi se qeveria ka treguar paaftësi në luftën ndaj krimit, ndërsa shtoi se elementë të policisë janë të lidhur me eksponentë kriminalë. “Si gjithnjë SHBA-ja na gjendet pranë në momentin më të vështirë për ne. Është për t’u përshëndetur marrëveshja 8 milionë dollarë për zhvillimin e sektorit të drejtësisë penale dhe të ligjit për kontrollin ndaj lëndës narkotike. Aleatët kanë konstatuar se qeveria është e paaftë për të luftuar krimin. Sistemi dhe trajnimi i profesionistëve të fushës është në ditën më të keqe. Ne duhet të gëzohemi pak që po ndihmohemi se duhet të hidhërohemi shumë për gjendjen që kjo qeveri e ka çuar vendin. Shifrat e krimit në dy vite të qeverisë Rama, dhe e trafikimit të lëndës narkotike ka kapur rekordin historik në këto 23 vite”, - theksoi z. Ristani. Deputetja e LSI-së, z. Silva Caka tha se hyrja në fuqi dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rritjen e efikasitetit të agjencive ligj-zbatuese për luftën kundër narkotikëve. “Kjo marrëveshje synon forcimin e sistemit të drejtësisë penale, të institucioneve të saj dhe zyrtarëve, në mënyrë që t’i përgjigjen të gjitha llojeve të krimit, me fokus të veçantë korrupsionin dhe krimin e organizuar, me qëllim që të sjellë vendin më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në përputhje me qasjen strategjike të vendit. Asistenca do të zbatohet nën drejtimin e Departamentit të Shtetit, Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe projekteve të çështjeve të zbatimit të ligjit, konkretisht, “Zhvillimi i sektorit të drejtësisë penale” dhe “Zhvillimit të zbatimit të ligjit”. Të dyja projektet janë të hartuara për të përmirësuar aftësinë e qeverisë shqiptare për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur të gjitha llojeve të krimit, me fokus të veçantë në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së procedimeve penale, zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare përgjegjëse për luftën kundër krimit, përmirësimin e sistemit dhe cilësinë e trajnimit të profesionistëve shqiptarë të përfshirë në procesin e luftës kundër krimit dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë penale”, - theksoi znj. Caka. Në fjalën e tij në Kuvend, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri bëri të ditur se deri më tani janë asgjësuar 260 mijë rrënjë kanabis në të gjithë Shqipërinë. Ministri Tahiri shprehu bindjen për luftën pa kompromis ndaj krimit dhe luftës ndaj lëndëve narkotike. “Unë nuk dua të merrem me akuzat, por dua t’ju ftoj realisht të gjeni forcë dhe të përshëndesni luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër kriminalitetit, luftën kundër paligjshmërisë, luftën kundër informalitetit, të përshëndesni policinë e shtetit dhe çdo hallkë zinxhirit institucional të drejtësisë penale që të bëjnë punën për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, për ta bërë shoqërinë më të drejtë dhe kjo jo detyrimisht do të thotë të mos kritikosh, kjo jo detyrimisht do të thotë të mos drejtosh gishtin nga qeveria për gjëra që mund të bëjë më mirë. Por kjo do të thotë të mbështesësh më së pari të gjithë ata që punojnë dhe këtu flas për punonjës të policisë së shtetit, prokurorë të ndershëm edhe gjyqtarë të ndershëm që bëjnë punën për të vënë para drejtësisë ata që bëjnë, kryejnë vepra penale”, - nënvizoi z. Tahiri. Kuvendi diskutoi më pas 6 marrëveshje që pritet të japin një rezultat pozitiv në infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe në sektorin energjetik. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2011, për projektin “Program për sektorin e ujit/program për furnizimin e zonave rurale me ujë III” u miratua me 96 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Po me kaq vota u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së programit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2011, për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit/Program për furnizimin e zonave rurale me ujë III”. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë,të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfV, Frankfurt am Main (“KfV”), në lidhje me marrëveshjen e huasë në shumën 40 milionë euro ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit sh.a. (OST) dhe KfV Frankfurt am Main (“KfV”), në mbështetje të projektit “Efiçenca Energjetike - Programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri i bëri apel deputetëve të opozitës që të japin konsensusin për marrëveshjet që synojnë rritjen e investimeve në sektorin energjetik. “Patjetër që sektori energjetik ka nevojë për investime dhe kjo paketë për të cilën flasim sot në seancë po kontribuon në këtë drejtim. Kemi ndërmarrë një program shumë të thellë të investimeve në sektorin energjetik, përmes të cilit llogarisim që brenda 4-5 vitesh të investohen nga sektori publik 420 milion USD. Për të mos përmendur më pas edhe 500-600 milion USD të tjera të cilat janë në linjë për tu investuar në sektor nga privatët. Çfarë tregon kjo? Është rikthyer besimi tek sektori dhe këto janë investimet që do ta japin rezultatin nesër. Këto investime do të çojnë në reduktimin e humbjeve teknike, në efiçencë më të mirë nga pikëpamja energjetike. dua vërtet ti kërkoj grupit parlamentar të Partisë Demokratike që përpara se të kritikojë të japë mbështetjen këtyre reformave, të mbështesë edhe këto marrëveshje sepse janë në drejtimin e duhur dhe do ta kthejnë besimin në sektorin elektro-energjetik. Do ta kthejnë këtë një platformë aq të nevojshme për zhvillimin e vendit dhe kjo tashmë është plotësisht e konfirmuar”, - tha z. Gjiknuri. Deputeti i LSI-së, z. Luan Duzha sqaroi se zhvillimi i rrjetit te transmetimit në përputhje me parashikimet afatgjata të kërkesës për energji elektrike dhe me planet e zhvillimit të sektorit elektro-energjetik në tërësi është një nga funksionet themelore të OST sh.a dhe përbën një domosdoshmëri për përmbushjen e veprimtarive të saj, në këtë sektor. “Për të kryer detyrat e saj, OST, në programin e zhvillimit të rrjetit të transmetimit ka planifikuar implementimin e disa projekteve të rëndësishme, të identifikuar prej kohësh dhe të argumentuar me studime fizibiliteti edhe nga institucionet studimore ndërkombëtare. Programi do të financohet nëpërmjet një kredie për zhvillim në një vlerë deri në 40 milionë euro. Kohëzgjatja e huasë/maturimi do te jetë 12 vjet me 3 vjet periudhë mospagese. Republika e Shqipërisë, në mënyrë që të sigurojë kredinë, do të lëshojë një garanci shtetërore bazuar në transaksionet që do kryhen. Kostot totale vlerësohen në rreth 45 milionë Euro”, tha z. Duzha. Ndërsa, deputeti i PD-së, z. Sherefedin Shehu vlerësoi ndihmën e qeverinë gjermane për mbështetjen e sektorit energjetik në vendin tonë. Në fjalën e tij, z. Shehu kritikoi qeverisë për vonesën në miratimin e këtyre marrëveshjeve. “Qeveria u kujtua të nxirrte këtë marrëveshje nga sirtari vetëm në prag të vizitës së Kancelares gjermane, Angela Merkel, në Tiranë. Investimet të cilat trumbetohen nga qeveria nuk u reflektuan në përmirësimin me energji elektrike, pasi janë shtuar ndërprerjet e energjisë në mbarë vendin. Po ashtu, reforma e qeverisë në sistemin energjetik kishte vetëm një qëllim të rëndonte qytetarin dhe ta mbante atë peng në prag të zgjedhjeve”, tha z. Shehu. Ky projektligj u miratua me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Po me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua dhe projektligji “Për ratifikimin marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave (Huamarrësi) dhe Korporata Elektro-energjetike Shqiptare sh.a (Agjencia zbatuese e projektit) dhe KfV, Frankfurt am Main (“KfV”), për shumën 20 milion euro,për programin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”. Deputeti i LSI-së, z. Bujar Derveni nënvizoi se historisë gri të së shkuarës me përmbytje, pikërisht për shkak të sigurisë së ulët të digave dhe mosfunksionimit optimal të veprave shkarkuese, duhet t’i qëndrojmë vigjilent duke bërë të mundur nëpërmjet investimeve me qëllim largimin sa më në kohë nga risqet e mundshme të përsëritjes. “Marrja jetë e këtij projekti mbart rëndësi të veçantë. Një tjetër qëllim i programit, kjo e parë në terma më ekonomik, e që sigurisht nuk duhen kaluar në plan të dytë, pasi sektori për të cilin diskutojmë prej shumë vitesh është bërë jo pak problematik me bilancet e veta për buxhetin e shtetit, është bërja e mundur e monitorimit të HEC-eve në kaskadën e Drinit, optimizimi i përdorimit të rezervave ujore të kaskadës, si dhe rritja e efeçiencës së prodhimit të energjisë elektrike. Pra, kemi në duar një marrëveshje që mundëson financimin e një projekti që rrok në vetvete zgjidhjen e një problematike të ndërthurur social-ekonomike. Për rrjedhojë, ne, të nderuar kolegë deputetë, ratifikimin e një marrëveshje huaje me këto kushte kaq të favorshme e për një projekt kaq me rëndësi, duhet ta konsiderojmë si një praktikë të thjeshtë. Bashkërisht duhet t’i ofrojmë mbështetjen tonë një projekti që siguron qendrën e monitorimit të kaskadës së Drinit”, tha z. Derveni. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë” si dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2009, për Projektin “Energji Ujore dhe Siguria e Digave në Kaskadën e Drinit” u miratuan me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkohë, me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2011, për projektin “Efiçenca energjetike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Kuvendi miratoi me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar”. Kuvendi miratoi me 93 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’ të ndryshuar”. Me 91 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9220, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Deputeti i PS-së, z. Ervin Koçi kërkoi prej deputetëve të opozitës që të japim pëlqimin e tyre. “Opozita të lërë demagogjinë për të mbajtur me gënjeshtra veten. Të bashkohet me ne jo vetëm për të votuar këtë ligj, por dhe ligje të tjera për t’u ardhur në ndihmë biznesit, pasi qytetarët me votë kanë treguar mbështetjen maksimale për politikat e ndjekura nga mazhoranca e majtë”, - tha z. Koçi. Duke shprehur dakordësinë e opozitës për miratimin e këtyre dy nismave, deputeti Ridvan Bode tha se këto projektligje nuk sjellin asgjë të re. “Këto dy projektligje rreken të sjellin në sallën e Kuvendit një shqetësim që është evident në komunitetin e biznesit, dhe që ka të bëjë me likujdimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Them rreket pasi nuk sjell asgjë të re. I gjithë propozimi konsiston në ngritjen e një strukture të veçantë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që do të merret me rimbursimin e TVSH-së, një akt që po të kishte vullnetin mund të ishte ngritur nga vete ministria dhe qeveria. Ngritja në këtë nivel dhe sjellja në Parlament me ligj, reflekton që shqetësimi që kanë marrë deputetët propozues është i madh dhe ne jemi dakord, por siç e thashë, nuk sjell asgjë të re”, - tha z. Bode. Kuvendi miratoi me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektvendimin “Për propozimin e masës së shpërblimit mujor fiks të anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar” dhe me 96 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie”. Në fund, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta bëri të ditur se seanca e radhës do të zhvillohet ditën e hënë, datë 27.07.2015, ora 17:00. Seanca i mbylli punimet rreth orës 20:37.


Share