Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 22/07/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ku diskutoi dhe miratoi projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sporti, znj. Lindita Nikolla bëri një prezantim të projektligjit i cili ishte për diskutim në seancë plenare. “Ligji i Arsimit të Lartë është hartuar nga një ekip i shkëlqyer. Kjo është reformë jo e partisë në pushtet. Kur më parë drafti i parë i ligjit është diskutuar më kujdes. Vetëm Universiteti i Tiranës dërgoi për nenin e parë vetëm 600 faqe diskutimi. Kjo ka qenë reforma më e pa-politizuar në këtë proces. Në ka ligj ku llogorja e partizanërisë së politikës është ky. Në ka ligj që politika duhet lënë mënjanë, është ky. Ndaj duhet ta kalojmë me konsensus. Ky ligj është një vizon krejt i ri pasi duhet të mësojmë mënyrë që mos të gënjejmë njerëzit tanë”, - tha znj. Nikolla.

Kryeministri z. Edi Rama, në fjalën e tij në seancë plenare theksoi se për të arritur në këtë projektligj është bërë një punë e gjatë në mënyrë që të ringrihet sistemi universitar në Shqipëri.

“Ky është një debat që ndryshe nga shumë të tjerë përcakton në mënyrë shumë të qartë një vijë ndarëse në filozofi mes nesh dhe të tjerëve. Sepse, përcakton në mënyrë shumë të qartë vullnetin tonë për t’u ndarë nga një histori dështimesh dhe rrënimi të madh të sistemit të arsimit të lartë. Është me rëndësi, besoj, që duke folur për këtë projekt, – që nuk është projekti për të riorganizuar edhe një herë sistemin e arsimit të lartë në vazhdën e të gjithë riorganizimeve që janë bërë, por është projekti për të bërë një revolucion në arsimin e lartë, – duhet paraprakisht të vendosim sfondin e këtij debati dhe t’i referohemi bazës mbi të cilën ne u nisëm për të ardhur këtu, pas një procesi që unë e konsideroj shembullor gjithëpërfshirjeje e diskutimi dhe për t’i kërkuar këtij parlamenti votën për këtë reformë historike të sistemit të arsimit të lartë”- tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Deputetja e Partisë Demokratike, znj. Jorida Tabaku theksoi në fjalën e saj qëndrimin e opozitës e cila ishte kundër kësaj nisme ligjore duke shtuar se ky projektligj nuk duhet të votohet.

“Po kalojmë sot një projektligj që po has vështirësi. Ky projektligj e gjunjëzon interesin e studentëve. Nuk sollëm në kuvend asnjë ligj i cili është antikushtetues në çdo nen. Ai në thelb vazhdon të jetë klientelist. Bitisja e tij që një shpërfytyrim i autonomisë universitare. Ky ligj gjymton në të gjitha mënyrat universitetit. Ky nuk është liberalizëm, por klientelizëm. A na siguron kush se universitetet Publike do kenë mundësi të ofrojnë shërbim e cilësi pa detyruar të rriten tarifat. Qeveria ka sjell me pabesi këtë ligj, është një shkelej e barazisë qytetare. Ky është një ligj që penalizon studentët dhe trajton arsimin publik si mall te tregu Çam”, - tha znj. Tabaku.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Luan Rama theksoi në fjalën e tij se për hartimin e këtij projektligji është bërë një punë e gjatë dhe konstruktive.

“Ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në universitete është në qendër të debateve që prej dy vjetësh. Hartimi i projekt-ligjit u parapri me një varg masash administrative për disiplinimin formal të veprimtarisë universitare, që përfshijnë ndalimin e institucioneve arsimore të palicensuar, ndërprerjen e specialiteteve dhe të programeve të paakredituar, përgjithësisht filtrimin e diplomave që lëshohen në sistemin arsimor në Shqipëri. Në tërësi këto masa patën për qëllim mbrojtjen e veprimtarisë universitare prej informalitetit dhe nxjerrjen e saj nga anarkia. Këto masa, megjithëse penalizuan një varg institucionesh të arsimit të lartë, janë mirëpritur, pavarësisht karakterit të tyre ndalues. Sikurse dihet, kjo vënie rregulli, megjithëse u shoqërua me pezullimin e përkohshëm tërësor të dy shkallëve të formimit universitar së paku në arsimin publik, të shkallës master e doktoratë, pati në përgjithësi efekte pozitive dhe vetë subjektet e ligjit u pajtuan në heshtje me të”, - theksoi ndër të tjera z. Luan Rama.

Deputetja e Partisë Socialiste, znj. Evis Kushi theksoi në fjalën e saj se projektligji është hartuar nga grupet e ekspertëve dhe grupet e interesit dhe se kjo nismë duhet të votohet në seancë plenare.

“Ky është një projektligj që është hartuar me grup pune, nga ekspertë të cilët kanë marrë në konsideratë modelet europiane si dhe sugjerimet me grupet e interesit. Dua të theksoj, sepse e vlerësoj ketë skemë, se parimet bazë janë parimet e sistemit të lartë në Europë. Kjo skemë bazohet në konkurrencë, shpërndarja e fondeve në bazë të cilësisë dhe sigurisht që gjithçka bëhet në emër të performancës. Ky ligj nuk e vë në rrezik perspektivën e universiteteve, por u jep një shans për të përmirësuar. Ka një aspekt që nuk duhet neglizhuar. Implementimi ligjit nga të gjitha strukturat e institucionet e arsimit të lartë. Në fakt unë nuk mendoj se sistemi arsimor dështoi për shkak të ligjit që kishim, por për shkak të neglizhencës dhe kontrollit. Kemi përpara një projektligj cilësor, por për respektimin e tij, të gjithë duhet të kontribuojnë në zbatimin e tij’, - tha znj. Kushi.

Në përfundim të debatit për ligjin dhe ndërsa po hapej procedura për votimin e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, shprehu kundërshtinë për projektin e qeverisë dhe tha se opozita nuk mund të bëhet pjesë e një pazari të tillë. “Ne si opozitë jemi kundër një ligji që filloi si pazar dhe përfundoi si pazar. Ne pjesë e këtij pazari nuk mund të bëhemi në asnjë lloj forme dhe nuk mund t’i vëmë njollë vetes me një ligj të tillë”, u shpreh z. Paloka, ndërsa deputetët e opozitës u larguan nga salla e seancave plenare.

Pas përfundimit të diskutimeve, Kuvendi votoi me 78 vota pro projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.


Share