Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje të rëndësishme në fushën ekonomike

  • Postuar më, 21/07/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje të rëndësishme në fushën ekonomike. Anëtarët e komisionit miratuan projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’ të ndryshuar”” si dhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9220, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””. Ndryshimet e propozuara nga deputetët Erion Braçe dhe Ervin Koçi synojnë krijimin e një shtrati të ri normativ që synon përmirësimin e administrimit tatimor si dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe të marrëdhënieve administratë tatimore – tatimpagues, thjeshtimin dhe minimizimin e procedurave ligjore lidhur me rimbursimin e tvsh-së dhe shmangien e procedurave të panevojshme, automatizimin e procedurës së rimbursimit dhe përafrimin me modelet e përparuara europiane. “Do të ngrihet një drejtori e posaçme në Drejtorinë e Përgjithshme, e cila do të ketë tagrin për të miratuar rimbursimin e TVSH-së. Pra, vendimi nuk merret më nga drejtoritë e taksave në rrethe, por qendërzohet duke shmangur abuzimet dhe interpretimet e ligjit sipas qejfit”, deklaroi relatori i këtij projektligji, z. Ervin Koçi. Deputetët e opozitës propozuan një ndërhyrje më të thellë. “Të heqim fare miratimin nga drejtoria tatimore dhe rimbursimi të bëhet automatikisht pas kërkesës”, propozoi deputeti i PD-së, z. Sherefedin Shehu. Por ky propozim u hodh poshtë nga mazhoranca duke argumentuar se do të dëmtonte sistemin tatimor në Shqipëri.


Share