Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm z. Saimir Tahiri

  • Postuar më, 07/07/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm z. Saimir Tahiri, lidhur me ngjarjen dhe angazhimin e strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit mbi ngjarjen e fundit te ndodhur ne Lazarat. Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri  bëri një raportim të situatës në Lazarat dhe për masat e marra nga Policia e Shtetit. “Shqipëria ishte zhytur në prodhimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. Pas operacionit të vitit të kaluar, policia ka vazhduar mbajtjen konstante të policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, sepse kishte ende njerëz të tjerë që vijonin të ishin në kërkim. Humbja e një efektivi të RENEA-s është goditje e rëndë për sigurinë, por gjeti rrugëzgjidhjen e duhur duke arrestuar autorët. Ishte pabesi e organizuar, për të cilën policia nuk kishte informacion, as nga SHISH, por që u morën masat për ta zgjidhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Policia lufton me të gjithë ata që i bëjnë bisht ligjit,  në kurriz të qytetarëve të ndershëm të vendit. Unë do kërkojë mbështetjen edhe në vijim të Komisionit të Sigurisë për ta vazhduar bashkë këtë përpjekje. Ndonëse qeveritë e kaluara nuk kanë bërë atë që duhej me Lazaratin, nuk na pengon ta shohim këtë si një përpjekje të përbashkët”, tha z. Tahiri. Deputeti i Partisë Demokratike, z. Flamur Noka kërkoi nga Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri që të mos bëjë show me punën e policisë, por të japë fakte. Deputeti Noka pyeti lidhur me të dyshuarit, nëse ishin pjesë e hetimeve të mëparshme apo jo dhe nëse këta persona mbaheshin në mbikëqyrje. “Anëtarët e bandës që vrau oficerin e RENEA-s ishin në listën e grupit të zjarrit që mbajti nën zjarr policinë një vit më parë? Në rast se ishin, a mban kush përgjegjësi që këta ishin të lirë këtu e një vit e për më tepër që blenë armë shumë të sofistikuara? Kur ndërhytë në Lazarat në 2014 thatë që droga nuk do ekzistojë më në këtë fshat. Sot pas një viti shqiptarët panë që kishte një grup të armatosur të strukturuar, kishte një bandë që guxoi të vërë dorë në policinë e shtetit. A po bëni show?”, tha z. Noka. Pas përfundimit të seancës së pyetje-përgjigjeve, deputetët vijuan me diskutimet lidhur me ngjarjen dhe angazhimin e strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit mbi ngjarjen e fundit te ndodhur ne Lazarat. Më herët, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake te Republikës së Shqipërisë”.


Share