Komisionin për Edukimin dhe Mjeteve të Informimit Publike zhvillon seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla

  • Postuar më, 25/05/2015

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjeteve të Informimit Publike Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja tha se projektligji është produkt i një procesi unik në historinë e politik-bërjes në arsimin e lartë, pasi ka ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Ministrja renditi disa prej ndryshimeve thelbësore që Ligj i ri i Arsimit të Lartë sjell, siç është edhe skema e financimit. Sipas Ministres Nikolla, ligji përfshin konceptin modern të financimit me bazë performancën. “Shteti do të jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa taksat e qytetarëve shqiptare, duhet të kthehen mbrapsht duke prodhuar maksimumin e vlerës. Një skemë moderne financimi, që priret nga performanca, do t’i shtyjë universitetet të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar ndaj studentëve, gjenerimin e kërkimit shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar, etj. Në thelb, universitetet do të mund të prodhojnë arsim të lartë më cilësor”, tha Ministrja.

Ministrja Nikolla theksoi se projektligji rrit ndjeshëm autonominë universitare duke deleguar drejt universiteteve publike një sër vendimmarrjesh të rëndësishme që sot, i kryen Ministria e Arsimit dhe Sportit. “Ligji i ri adreson tek universitetet vendimmarrje të tilla të rëndësishme, si numri i studentëve që do të pranohen, kriteret e përzgjedhjes, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik. Ky është kantieri i parë i autonomisë universitare, si pjesë e besimit tonë se universitetet, në balancën mes lirisë së plotë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut, mund të ofrojnë cilësi më të mirë”, tha Nikolla.

Duke vijuar prezantimin e projektligjit, Ministrja e Arsimit dhe e Sportit theksoi se një risi tjetër që sjell ky projektligj është krijimi i mundësive të reja për diversifikimin e financave. “E thënë që në krye të herës, qartë dhe prerë. Jo, ky ligj nuk çon para publike në Institucionet e Arsimit të Lartë privat. E kundërta është e vërtetë. Para publike dhe private drejt IAL-ve publike. Krijojmë kështu mundësinë për transformimin e IAL-ve në Institucione Publike të Pavarura, si ente publike moderne që ofrojnë një shërbim publik në lirinë më të madhe sipas modeleve më të suksesshme ndërkombëtare”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se një tjetër risi që sjell ky projektligji është modernizimi i kërkimit shkencor, i cili kthehet në kriter të rëndësishëm të financimit të universiteteve, duke mundësuar që departamentet, Profesorati, pedagogët të jenë më aktiv për t’i kthyer universitetet në qendra të zhvillimit dhe të inovacionit.“Qartësisht ridimensionojmë tre rolet e shtetit në arsimin e lartë. Rolin rregullator, si vendosës i standardeve dhe rregullave të funksionimit, por edhe garantues i funksionimit të sistemit dhe cilësisë. Rolin e financuesit të arsimit të lartë duke financuar institucionet ofruese të shërbimit, por edhe duke mbështetur përfituesit. Rolin e drejtpërdrejtë të ofruesit të shërbimit përmes IAL-ve publike”, tha Lindita Nikolla.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, Komisioni për Edukimin dhe Mjeteve të Informimit Publike do të vijoj shqyrtimin e projektligjit të propozuar nga qeveria


Share