Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 18/05/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

Të pranishëm në këtë seancë ishin drejtues nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Fakulteti i Shkencave Humane të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Shoqata “Edukimi Social dhe Mbrojtja e Mjedisit” dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Pas diskutimeve me grupet e interesit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të ndryshojë propozimin në projektligjin e ri që mësuesit të emërohen dhe shkarkohen me komisione të veçanta nga DAR dhe ato zonale. Sipas grupeve të interesit, heqja e bordeve të shkollës ku janë pjesë prindërit do të çonte në emërime dhe shkarkime politike.

Zamira Gjini, drejtore në arsimin parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit tha duke folur para deputetëve se do të ketë ndryshime në këtë nen. “Kemi reflektuar duke e ndryshuar përsëri këtë nen. Emërimi i mësuesit në institucionet arsimore zgjidhet me konkurs të hapur duke marrë pjesë përfaqësues, jo kryetari i bordit, por përfaqësues nga bordi dhe përfaqësues nga prindërit. Edhe për procedurat e largimit, drejtori i Institucionit Arsimor vendos largimin e mësuesit pasi merr pëlqimin nga bordi dhe nga Këshilli i Prindërve”, tha znj. Zamira Gjini.

Ndërsa, dekanët e Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe Humane në Universitetin e Elbasanit dhe në atë të Vlorës, respektivisht Vilson Kuri dhe dhe Aleks Trushaj u shprehën se teksti unik nuk është zgjidhje. Sipas tyre, me tekst unik të punohet vetëm me abetare dhe matematikën “Ndoshta matematika dhe abetarja duhet të jenë unike, duke kaluar nga viti në vit”, tha z. Vilson Kuri, dekan në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Aleks Trushaj, dekan në Universitetin e Vlorës u shpreh: “Është mirë të punohet me tekstet unike. Kurse në shkencat shoqërore të ketë 2-3 tekste alternativë”.

Gjatë diskutimeve Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) tha se në studimet e bëra vitet e fundit ka rezultuar se 50% e fëmijëve përjetojnë dhunë në bankat e shkollës. “Thuajse 50% e fëmijëve në Shqipëri kanë një marrëdhënie të dhunshme në shkollë, nga mësuesit dhe nga fëmijët e tjerë. 250 mijë fëmijë në Shqipëri kanë një marrëdhënie të dhunshme me shkollën. Nga kjo qendër propozohet ngritja e një shërbimi psiko-social dhe një komision i posaçëm i përbërë nga 3 nxënës, 3 mësues dhe psikologë të shkollës për të trajtuar rastet e dhunës në të gjitha format e saj”, - deklaroi z. Hazizaj.


Share