Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

  • Postuar më, 12/05/2015

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla prezantoi ndryshimet që sjell ky projektligj duke theksuar se për hartimin e tij ekspertët janë mbështetur në dokumentet e Bashkimit Evropian për çështje të arsimit, konventa e karta ndërkombëtare, si dhe ligje analoge të viteve të fundit, të shumë shteteve. “Sistemi ynë arsimor parauniversitar është përfshirë në një reformë te re kurrikulare të bazuar në kompetenca, që është edhe trendi i sistemeve arsimore të Evropës, ndaj përfshirja e kësaj kurrikule tëre kërkon rikonceptim të nenit 13-të, lidhur edhe me kompetencat themelore për nxënësit”,  tha znj. Nikolla. Duke u ndalur në ndryshimin e nenit 60, pika 1 për emërimet e mësuesve, znj. Kodheli tha se propozohet një riorganizimin i procesit, por jo duke lënë jashtë prindërit, por duke e përmirësuar këtë proces edhe me tregues të tjerë të rëndësishëm që risin transparencën, siç është rankimi në portalin “Mësues për Shqipërisë”. Në lidhje me ndryshimet në ligjin aktual 69/2012 për tekstet, znj. Nikolla tha se do shkohet drejt tekstit unik duke mos hequr dorë nga konkurrenca. “Për realizimin e procesit të përzgjedhjet ajo që shtohet është fakti që kemi vendosur standarde. Deri më sot përzgjedhke bëhej mbi disa kritere që përcaktoheshin nga Ministri, ndërkohë që ne kemi realizuar një dokument që është standardi për tekstet shkolle dhe që është një mekanizëm për përzgjedhjen e teksteve shkollore cilësore”, tha ministrja, duke shtuar se nuk bëhet fjalë as për përmbysje dhe as për përmirësim të altertekstit, por për një zhvendosje nga alterteksti”. Më pas, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si Administrator i Fondeve Grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme nën Fondin e Veçantë të Aksionarëve të BERZH-it, për by-pass-et rrugore të Fierit dhe Vlorës, asistencë teknike për mbështetjen e zbatimit të projektit në Shqipëri” si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për investimin nga llogaria EU/IPA e by-pass-it Vlorë, për by-pass-in e Vlorës”.


Share