Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për p/ligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 12/05/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues të Avokatit të Popullit, Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë, Sindikatës së Pavarur të Arsimtarëve, Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë “ (SOROS), Shoqatës “Botuesit e Teksteve Shkollore”, Shoqatës së Prindërve, shtëpive botuese si edhe përfaqësues të MAS.

Gjatë diskutimeve me anëtarët e komisionit përfaqësuesit e sindikatave të arsimit kanë kundërshtuar ndryshimin e nenit 60 të ligjit të arsimit parauniversitar, që punësimi i mësuesve të mos bëhet më nga një komision ku në përbërje ka mësues dhe prindër, por nga një komision që do të varet direkt nga drejtoritë arsimore.

Sipas sindikalistëve, ky nen rrezikon të rrisë korrupsionin në arsim.“Disa drejtorë shkollash mundohen të bëjnë konkurse fiktive, me qëllim emërimin e tyre. Por komisioni është pengesë për ta, kështu që zgjidhja është vetëm të heqim komisionin nga ligji, dhe ministria t’ua lërë në dorë drejtorëve me udhëzim. Kjo nuk është aspak demokratike. Kur themi që për çdo vend pune të aplikohet konkursi, me qëllim që të punësohet më i afti, në vend që të zgjerojmë komisionin e vlerësimit të kandidaturave për vendin e ri të punës, kërkojmë ta heqim fare atë”, - tha Novruz Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.

Ndërsa, Xhaferr Dobrushi i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës shtoi në lidhje me këtë çështje: “Mund të pranohej ideja jonë që, ku thuhet me konkurrim të hapur. Procedura, përfshirë edhe përbërjen e komisionit, pa e përjashtuar komisionin e vlerësimit dhe konkurrimit, të përcaktohet me udhëzim të ministrit”.

Debate ka pasur edhe për mbylljen e alterteksit. Sipas Shoqatës së Botuesve skema mund të funksionojë mirë me dy apo tre alternativa për tekst.

“Shoqata e Botuesve nga praktika është kundër ndryshimit të këtij neni dhe kalimit në një tekst, për shkak se ne gjykojmë se nuk është fajtor ligji. Fajtor janë zbatuesit e këtij ligji”, - u shpreh Latif Ajrullai nga Shoqata e Botuesve.

Deputetja Ledi Shamku deklaroi se është kundër heqjes së alterteksit dhe se problemi qëndron te programet. “Jam për një kufizim numri 2-3, por sigurisht nuk jam për heqje alterteksti. Për ta përkthyer pak, demokracia ka kosto. Një nga kostot e këqija të demokracisë është korrupsioni. Unë mendoj që problem kryesor i altertekstit janë programet”, - tha znj. Shamku.

Ndryshimi i këtyre neneve të rëndësishme të projektligjit është shoqëruar me debate dhe diskutime në komision mes deputetëve dhe grupeve të interesit.


Share