Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi seancë dëgjimore me Znj. Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit Europian.

  • Postuar më, 05/05/2015

Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi seancë dëgjimore me Znj. Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit Europian. Ministrja theksoi se në kuadër të plotësimit të 5 prioriteteve,  janë ngritur tashmë që në muajin shtator të vitit të shkuar  Grupet e Përbashkëta të Punës  me përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe përfaqësues të Komisionit Europian. Këto Grupe  Pune kanë bërë të mundur strukturimin dhe monitorimin e reformave të parashikuara në Udhërrëfyesin për 5 prioritetet, si dhe kanë forcuar më tej konsultimin dhe bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me Komisionin Europian.  Grupet e punës kanë zhvilluar dy mbledhje në të cilat është diskutuar progresi i arritur dhe janë ndarë detyrat të cilat duhen ndjekur. Ministrja Gjosha nënvizoi se më 24 Mars 2015 në takimin e pestë të  Dialogut të Nivelit të Lartë,  pala europiane ritheksoi progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të prioriteteve si dhe u angazhua të asistojë Shqipërinë në procesin e saj të integrimit me qëllim fokusimin e energjive te reformat e nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Aktualisht, Ministria e Integrimit Europian po bën një vlerësim të detajuar të realizimit të masave të Udhërrëfyesit për 5 prioritetet kyce me qëllim finalizimin e tyre dhe adresimin e plotë të këtyre 5 prioriteteve. Bazuar në këtë analizë, rezulton se masat e parashikuara në Udhërrëfyes janë realizuar në një masë 88%, dhe së shpejti pritet finalizimi i masave të mbetura”, tha Ministrja Gjosha. Komisioni  miratoi me shumicë votash projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2015 “Për mediat audiovizive në RSH”.


Share