Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 15/04/2015

Fillimisht, anëtarët e komisionit miratuan me konsensus projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/ppp, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company””.

Më pas, deputetët shqyrtuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen shoqërore”.

Gjatë fjalës së tij në komision përfaqësuesi i Ministrisë së Mirëqënies Sociale Astrit Hado tha se janë 4 mijë përfitues, nga të cilët 2700 janë në moshë pune. Edhe ky projektligj u miratua me konsensus.

Komisioni zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me kandidaturën e propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH, për bordin e AMF-së, z. Klodion Shehu.

Më pas, anëtarët miratuan projektrezolutën për raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas deputetit të PS, z. Ervin Koci Autoriteti i Konkurrencës duhet të monitorojë vazhdimisht tregjet prioritare që kanë qenë objekt hetimi; si tregu i telefonisë celulare, gazit, sigurimeve, energjisë dhe transportit ndërkombëtar. ”Të jemi më specifik në kërkesa dhe më konkret. Të përfshihen më shumë shifra dhe krahasime në rezolutë”, u shpreh deputeti i PD-së, z. Sherefedin Shehu.


Share