Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”

  • Postuar më, 07/04/2015

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Të ftuar në mbledhje ishin Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Gentjana Sulaj, drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola dhe përfaqësues të tjerë të MMSR-së.

Në këtë mbledhje i diskutua edhe projektligji “Për hapjen e dosjeve të sigurimi të shtetit dhe procesin e lustracionit”, i propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi dhe mbështetur nga shoqëria civile.

Fillimisht, deputetët u njohën me nismën e shoqërisë civile të prezantuar nga deputetja e PD-së, znj. Doda në komision. Sakaq, deputeti i LSI-së, z. Luan Rama kërkoi që të pranishëm në shqyrtimin e këtij projektligji të ishin përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Ndërsa, deputeti i PD-së, z. Flamur Noka shprehu rezerva për përmbajtjen e projektligjit të propozuar nga qeveria. Kryetari i komisionit z. Spartak Braho kërkoi që projektligji të diskutohej fillimisht në parim dhe më pas deputetët nëpërmjet votës të vendoste nëse do të shqyrtohej apo jo nen për nen.

Zëvendësministrja e MMSR-së, znj. Gentjana Sula bëri një prezantim të shkurtër të projektligjit, duke theksuar se ai është hartuar duke u bazuar në eksperiencën më të mirë gjermane të hapjes së dosjeve të STASI-t.

Ajo theksoi se varianti, para se të kalonte për miratim në qeveri, i është dërguar për mendim shoqatave të ndryshme dhe organizatave të specializuara ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë.

Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.

Akses do të mund të sigurohet gjithashtu, për efekt të veprimtarisë hulumtuese apo kërkimore me qëllim vlerësimin e veprimtarisë së ish Sigurimit të Shtetit apo vlerësimit të figurës dhe rolit të personave historik të kohës, për aq kohë sa ky informacion i shërben qëllimit të deklaruar.

Projektligji parashikon informimin e Institucioneve Publike mbi marrëdhëniet që një person, i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, në rast se kërkohet prej tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.

Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore. Sipas informacionit paraprak, mësohet se ekzistojnë mbi 14 mijë dosje me mbi 1.5 milion fletë të ruajtura në arkivën e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosje të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, të cilat nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë ruajtje, klasifikimi dhe shqyrtimi.

Pas debateve deputetët miratuan në parim me 8 vota pro e 3 kundër projektligjin e paraqitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa kanë rrëzuar si në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias projektligjin e propozuar nga deputetët znj. Mesila Doda dhe z. Shpëtim Idrizi.


Share