Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me drejtuesit e RTSH-së, lidhur me Raportin mbi Veprimtarinë vjetore të RTSH-së për vitin 2014

  • Postuar më, 16/03/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me drejtuesit e RTSH-së, lidhur me Raportin mbi Veprimtarinë vjetore të RTSH-së për vitin 2014.

Duke folur para anëtarëve të komisionit, drejtori i RTSH-së, z. Martin Leka bëri me dije se gjatë vitit 2014, RTSH ka bërë përpjekje maksimale për realizimin e detyrimeve ligjore, duke ia arritur në mënyrë të kënaqshme në disa zëra, ku veçanërisht treguesit e përgjithshëm të prodhimit, treguesit ekonomiko-financiare, si dhe të pasqyrimit të jetës politike, ekonomike, social-kulturore e sportive të aktualitetit në vendin tonë kanë qenë në nivele shumë të mira.

Sipas raportit të prezantuar nga z. Leka, treguesit ekonomiko-financiare patën një pasqyrë më shumë se pozitive, jo vetëm në rritjen e ndjeshme të të ardhurave për institucionin (ishte viti rekord i të ardhurave të vetë RTSH-së), por edhe në përdorimin e mirë të tyre me qëllim në rritjen e cilësisë së prodhimit, rinovimin e teknologjisë në sistemin e prodhimit, përmirësimin e kushteve të punës dhe rinovimin fizik të mjediseve të institucionit.

“Janë bërë shpenzime efikase në shtimin e prodhimit, blerjen e të drejtave ndërkombëtare të aktiviteteve të ndryshme sportive, filmave, programeve të ndryshëm, si dhe në ndjekjen dhe pjesëmarrjen konkrete të drejtuesve dhe punonjësve të RTSH-së në aktivitetet ndërkombëtare të EBU-se dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, - shtoi z. Leka. - Viti 2014 është viti i rekordit të të ardhurave në buxhetin e RTSH-së, që janë realizuar në masën 111 % me planifikimin, pra me një rritje prej 11%, ose në vlere absolute me një tejkalim prej 231,473 mijë lekësh. Në total u arkëtuan 2,306,473 mijë lekë të ardhura, nga të cilat 1,949,473 mijë lekë, ose 85% e tyre janë të ardhura të vet institucionit, ndërsa 357,000 mijë leke, ose 15 % e tyre janë të ardhurat të financuara nga buxheti i shtetit për zërat e përcaktuar në ligj”.

Gjithashtu, drejtori i RTSH-së theksoi se rritja e të ardhurave ka bërë të mundur krijimin e një fondi rezervë që është planifikuar të përdoret për financimin e zbatimit të projektit të digjitalizimit të sistemit të transmetimit të RTSH-së, që siç dihet është tenderuar nga Ministria e Inovacionit, është shpallur kompania fituese dhe aktualisht është në fazën e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës.

Ndërkaq, z. Leka shprehu shqetësimin për vonesat në dixhitalizimin e sistemit të shpërndarjes së sinjalit, si një detyrim ndërkombëtar i ndërmarrë nga qeveria shqiptare, deri më 17 qershor 2015.

“Pas tenderimit të kryer nga Ministria e Inovacionit (vitit 2013), më së fundit në tetor 2014 është shpallur kompania fituese dhe aktualisht po bisedohet për nënshkrimin e kontratës për zbatimin e këtij projekti, por hapat janë shumë të ngadaltë dhe tashmë afati i 17 qershorit është i pamundur në praktikë. RTSH nga ana e saj është përpjekur të gjejë rrugë dhe mundësi për realizimin e këtij detyrimi, duke ofruar vetë-financimin e zbatimit te projektit si asnjë transmetues tjetër publik në Europë”, vijoi z. Leka.

Sakaq, Drejtori i RTSH-së kërkoi të gjendej një mënyrë se si publiku do të ketë mundësi të marrë sinjalin televiziv dixhital, pra dekoderat universal, pasi pjesa më e madhe e publikut nuk është në gjendje të tillë ekonomike që të ketë në përdorim në shtëpitë e tyre marrësa TV të fjalës së fundit të teknologjisë me marrësit digjital të përfshirë, që bëjnë të mundur sot ndjekjen e programeve të RTSH-së pa pagesë për të gjithë.

Më tej, mbledhja vijoi me diskutime dhe pyetje mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve në lidhje me raportin vjetor të RTSH-së.


Share