Zhvillohet takimi i tetë i Komitetit Parlamentar të Stabilizim- Asociimit (SAPC): BE-Shqipëri

  • Postuar më, 16/03/2015

Në kryesinë e Kuvendit u zhvillua takimi i tetë i Komitetit Parlamentar të  Stabilizim- Asociimit (SAPC): BE-Shqipëri.

Bashkëdrejtuesi i këtij takimi, z. Taulant Balla i cili drejtonte mbledhjen përshëndeti të pranishmit dhe uroi një bashkëpunim sa më të frytshëm ndërmjet dy parlamenteve. Deputeti Balla tha se ky është takimi i parë pas marrjes së Statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në qershor të vitit 2014. “Të gjithë ndajmë mendimin se vendimi për rakordimin të Shqipërisë të statusit të vendit kandidat ishte një vlerësim të reformave të kryera deri në atë moment, por ishte dhe një nxitje për reforma të tjera dhe për një shpejtësi, pse jo më të lartë, me qëllim që momenti tjetër në rrugën tonë drejt integrimit evropian, sikurse është hapja e negociatave, të vijë sa më shpejt. Më lejoni të falënderoj Parlamentin Evropian, Grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, Grupin e Partive Popullore Evropiane, Grupin e Socialistëve dhe Demokratëve, atë të Gjelbërit të cilët kanë mbështetur në çdo moment përmes zërit të Parlamentit Evropian, nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të Integrimit Evropian të Shqipërisë”, theksoi z. Balla.

Në fjalën e tij, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha: “Ne kemi shprehur dëshirën për të diskutuar me Komisionin për një kornizë kohore dhe një koreografi të veprimeve që do ta na çojnë drejt një rekomandimi për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, pasi për ne negociatat janë më shumë se një instrument. Nuk janë thjeshtë një etapë e procesit, por vetë procesi që garanton reformat transformuese”.

Ndërsa Kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian dhe njëkohësisht deputete e PD-së,Majlinda Bregu, tha: Këtu jam dakord me Ministrin e Jashtëm. Nuk është vetëm çështje gërmash, duhet një koreagrafi, ju e quani koreagrafi, unë e quaj frymë dhe vullnet politik për të zbatuar reformat”. Ndërsa Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha informoi përfaqësuesit e delegacionit të PE-së me reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria dhe reformat e parashikuara në të ardhmen. Ajo tha se janë shtuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që është rritur edhe bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe me Europol-n në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njohu eurodeputetët me reformat e ndërmarra nga qeveria në Policinë e Shtetit përgjatë vitit 2014. “Gjatë 2014 për t’i dalë përballë sfidës mesatare të policisë qeveria ndërmori hapin për shtimin e numrit të policëve të rinj dhe rekrutimin e të rinjve me konkurse të hapura. Për t’i paraprirë mungesës së arsimimit në radhët e policisë, Akademia e Policisë u shndërrua në një institucion i arsimit të lartë për të përgatitur hetues të mirëfilltë dhe të përgatitur profesionalisht. Miratuam një paketë mbështetje buxhetore për policinë, duke filluar që nga rritja e rrogave, sigurimin, pensionet dhe investimet themelore në infrastrukturë dhe teknologji. Kemi mbyllur reformën më të plotë ligjore në fushën e sigurisë”, tha z. Tahiri.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi nevojën e përfundimit të reformës në drejtësi. “Në Tetor Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë organizuan konferencën për reformën në drejtësi, që ka një mbështetje nga të gjitha kahet e politikës. Po në tetor u zhvillua tryeza me ekspertët në fushën e drejtësisë, po ashtu edhe në nëntor misionet e huaja shprehën nevojën për reformimin e drejtësisë, që nga Gjykata e Lartë, mënyra e emërimit të gjyqtarëve dhe të tjera. Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe në Dhjetor 2014 Kuvendi miratoi për këtë një Komision të Posaçëm për reformën në sistemin gjyqësor”, deklaroi z. Naço.


Share