Nënkomisioni Për të Drejtat e Njeriut zhvillon seancë dëgjimore për projektligjet për hapjen e dosjeve

  • Postuar më, 13/03/2015

Nënkomisioni Për të Drejtat e Njeriut, nën drejtimin e Kryetares znj. Vasilika Hysi, zhvilloi sot seancë dëgjimore me grupet e interesit për dy projektligjet “Për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit dhe procesin e lustracionit” dhe “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Të ftuar në mbledhje ishin përfaqësues nga OSBE-ja, zj. Fabiola Bregu, nga MMSR ishin të pranishëm z. Bilal Kola , Kryetar i Institutit te ish- te përndjekurve politikë dhe Ermira Shtino, Drejtore e Drejtorisë së ish te përndjekurve politikë.

Nga Avokati i Popullit ishte i pranishëm Drejtori i Kabinetit  të këtij institucioni z. Enio Haxhimihali si dhe komisionari z. Dritan Dingo. Nga Komisioneri për të drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte e pranishme zj. Anola Xhuli, Drejtore e Drejtorisë se Çështjeve Juridike.

Pjesë e të ftuarve ishin edhe shoqatat e ish-të përndjekurve politikë dhe të shoqërisë civile. Nga Grupi Shqiptar i të Drejtave te Njeriut,  ishin të pranishëm znj. Elsa Ballauri dhe z. Olsi Baze. Nga Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës ishin të pranishëm z. Adrian Kati, drejtor ekzekutiv dhe znj. Erinda Bllaca, juriste. Nga Shoqata e ish te Burgosurve & te Përndjekurve Politike ishin të pranishëm z. Daut Gumeni dhe z. Islam Spahiu. Nga Unioni Mbarëkombëtar i Grave ish te Përndjekura ishte i pranishëm znj. Marie Dani. Nga Unioni Mbarëkombëtar i te Internuarve dhe te Përndjekurve Politike ishte i pranishëm z. Besim Dregjoni. Nga Shoqata Kombëtare e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë, ishte i pranishëm kryetri, z. Gjoç Gjoçi. Nga Shoqata Kombëtare e ish të Burgosurve Politike ishte i pranishëm z. Tanush Kaso, kryetar. Nga Shoqata Kombëtare e Dëbim - Internimeve Politike ishte i pranishëm z. Abdurrahman Çekiçi. Nga Shoqata antikomuniste ishin të pranishëm z. Simon Miraka dhe z. Hysen Haxhiaj.

Të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, shprehën vlerësimin e tyre për nismën e ndërmarrë për hartimin e një projektligji për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të sistemit komunist në Shqipëri.

Zoti Gaut Gumeni theksoi në fjalën e tij, se hapja e dosjeve është një proces i domosdoshëm. “Unë i kam parë të dy projektligjet, gjithnjë me logjikën jo si jurist dhe projektligjet që kanë sjellë dy deputetët, kanë me vete ato degë që kanë pasur të dy përpjekjet e para, për të mos thënë tri, se e treta u dogj vetë, për të krijuar atë transparencë që është e nevojshme, lidhur me të shkuarën e diktaturës komuniste. Po të jetë se mbajmë po të njëjtat shkelje kushtetuese edhe në mënyrë më të pafajshme, të gjykosh ato projektligje, janë me cene që nuk i lejon as Gjykata jonë Kushtetuese dhe as Komisioni i Venecias, kurse projektligji i dytë, bashkë me vërejtjet që bënë prezenca e OSBE-së, më duket se është rasti më i mirë për ta thelluar transparencën brenda tij, duke marrë çështjet e mundshme edhe nga projektligji i dy deputetëve, për të nxjerr një variant me transparencë më të thellë”, - z. Gumeni.

Zoti Simon Miraka theksoi në fjalën e tij, se ekspertët politikë, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të dy projektligjet e paraqitura për hapjen e dosjeve të ish-regjimit komunist të shkrihen në një. “Unë doja të jepja dy sugjerime në lidhje me projektligjet. Për fat të mirë, inteligjenca nuk na mungon, kemi ekspertë të mrekullueshëm, qoftë majtas, qoftë djathtas, që një ligj të ketë jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri, mendoj se duhet të jetë më konsensus. Një projektligj që i shpërben dekomunistizimit të vendit, mendoj se duhet të ketë konsensus, mendimi im dhe sugjerimi im, është që ekspertët e dy palëve të Komisionit të Ligjeve, apo të tri palëve sa janë, të shohin të dy projektligjet, defektet që kanë secili projektligj dhe të dalin me një projektligj të përbashkët”, - tha z. Miraka.

Zonja Marie Dani në fjalën e saj theksoi se ishte dakord me të gjitha rekomandimet e bëra nga përfaqësuesit e shoqatave dhe për hapjen e dosjeve. “Jam Presidentja e grave të përndjekurave të tërë Shqipërisë. Jemi plotësisht dakord me të gjithë kolegët për hapjen e dosjeve dhe të lustracionit”

Institucioni i Avokatit të Popullit nëpërmjet përfaqësuesit të tij, z. Enio Haxhimihali, theksoi se nevojitet sa më parë një ligj për hapjen e dosjeve. “Institucioni ka vlerësuar dhe vlerëson se shoqëria jonë meriton të dijë se cilët e qeverisin dhe mbrojnë interesat e saj. Në këtë këndvështrim, gjykojmë se një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë shqiptare, e cila u tha qartë dhe me aq detaje prekëse nga parafolësit e shoqatave, vjen nga një eksperiencë pas komuniste dhe ka qenë miratimi i një ligji gjithëpërfshirës i mbështetur pikërisht nga parimet ekzistenciale të një shoqërie demokratike për hapjen e dosjeve. Mbi këtë bazë, në fillim të vitin 2014, jemi drejtuar me një rekomandim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe Deputetëve të Pavarur për nevojën për miratimin sa më shpejt të një ligji për hapjen e dosjeve dhe deri më sot nuk kemi pasur përgjigje”,- tha z. Haxhimihali.

Relatori i dy projektligjeve, z. Armando Subashi, theksoi në fjalën e tij se projektligji i paraqitur nga dy deputetët ka përplasje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009 dhe për rrjedhojë nevojiten disa ndryshime.  “Sigurisht që, pavarësisht gjithë këtyre opinioneve dhe emocioneve që u transmetuan këtu, në fund të fundit, nga vetë fjala, Komisioni i Ligjeve, siç e tha kolegu im Mediu, ne në shqyrtimin e të dyja drafteve duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse është shumë e rëndësishme që të dy ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën, për të paktën aq kohë sa kjo Kushtetutë të jetë në fuqi. Pastaj nëse në ditët, muajt, apo javët në vijim, do të ketë iniciativa apo vullnete politike, që nene të caktuara apo institute të caktuara të Kushtetutës duhen ndryshuar në funksion të gjithë këtij qëndrimi të madh sapo thamë, sigurisht është një çështje tjetër”,- tha z. Subashi.

Deputeti i PDIU-së, z. Tahir Muhedini tha në fjalën e tij se çështja është shumë serioze dhe se duhet të zgjidhet sa më parë dhe se seancat dëgjimore të vijojë sërish.

Kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, znj. Vasilika Hysi kërkoi nga organizatat që ishin të pranishme në mbledhje, që vërejtjet apo sugjerimet e tyre, ti paraqesin me shkrim, në mënyrë që të merren në shqyrtim dhe të vijojë procedura për miratimin e ligjit që konsiston në hapjen e dosjeve të sigurimit të ish-regjimit komunist. “Në fakt sot pati diskutime shumë interesante. Pavarësisht nga mënyra se si ju i shprehët brenda me atë pastërtinë, vuajtjen, përjetimin, ju në thelb u shprehët qartë se çfarë kërkoni. Por unë kam dëgjuar me shumë vëmendje, krahas regjistrimit audio dhe video, kam mbajtur dhe shënime nga pikëpamja ligjore. Pra ato shqetësime që ju keni folur si përjetim, si vuajtje, unë i ktheva në termat ligjor. Gjithashtu do të doja shumë që në përfundim të kësaj mbledhjeje, ose nga fillimi i javës të dorëzoni me shkrim komentet që keni për projektligjet, sidomos do të doja Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Avokatin e Popullit, për komentet e drejtpërdrejta, që nismat ligjore të mos bien ndesh me Kushtetutën. Por nga ana tjetër për të sqaruar shqetësimet që patën të gjithë të ftuarit këtu, pra për të drejtën e informimit, për atë çfarë zoti Hysen e përmendi disa herë, edhe zoti Tanush, që të dimë se ku janë njerëzit, të marrim informacion për të zhdukurit, për të vdekurit, për reabiltimin e tyre etj. Unë zoti Hysen, mbajta shënim edhe shqetësimin që ju keni lidhur me trajtimin e 1500 personave, që sipas të dhënave që ju keni, janë ende gjallë dhe kanë nevojë për trajtim. Unë di që ka një ndjeshmëri për trajtimin e personave të përndjekur, qoftë edhe me kompensimin sado modest që është ai, por për ti dhënë mundësi asaj që nuk është bërë për një periudhë shuam të gjatë, për 25 vjet. Të paktën për këtë vit kanë filluar, po lëvizin gjërat. Unë mendoj se kjo seancë dëgjimore shërbeu në këtë drejtim për ti bërë gjërat më mirë. Unë kam besim që z. Subashi, një jurist shumë i mirë me përvojë, do të dijë të reflektojë jashtëzakonisht mirë mbi të gjitha ato që u thanë edhe duke qenë një gjyqtar me përvojë, edhe duke pasur parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe opinionin e Komisionit të Venecias, edhe modelet e vendeve të tjera, për të bërë një proces sa më të mirë dhe për ti dhënë fund nismave, për një kohë shumë të gjatë. Kjo është pothuajse nisma e katër në 25 vjet dhe ne jemi po në vend numëro dhe me fjalët që u thanë, duke na u drejtuar ne si të rinj, që nuk kemi lidhje me atë sistem, sinqerisht na vini në një përgjegjësi dyfishe për ti dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj zvarre të gjatë me probleme, të cilat mund të ishin zgjidhur dhe besoj se mund të zgjidhen”,- tha znj Hysi.


Share