Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 12/03/2015

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare për të diskutuar disa projektligje të rëndësishme në fushën ekonomike.

Për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi),” të ndryshuar diskutoi deputeti Eduard Shalsi, i cili në fjalën e tij theksoi se ky është një projektligj i rëndësishëm dhe është miratuar me konsensus në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. “E vetmja gjë që mund të them edhe për kolegët e opozitës është që projektligjin e kemi miratuar me konsensus të plotë në komision. Gjykojmë se është vendim i drejtë, vendim i duhur që gjeti mbështetjen e plotë. Në fakt ka qenë një iniciativë e marrë edhe nga Qeveria e mëparshme, por dështoi për shkak se brenda tyre nuk kishin konsensus”, tha z. Shalsi. Ky projektligj u miratua me 72 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Për projektligjin tjetër “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të zbatimit për asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë” diskutoi deputeti Ervin Bushati i cili theksoi se kjo është një mbështetje e rëndësishme për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. “Sot po prezantojmë një ndihmë tjetër për Forcat tona të Armatosura të Shqipërisë nga një partner i rëndësishëm, siç është Turqia. Kaloi në Komisionin për Ekonominë dhe Financave nën prezantimin e Zëvendësministrit të Financave dhe stafit mbështetës. Gjithçka është në mbështetje të Qeverisë shqiptare, të reformave dhe të pranisë së saj në NATO.Ftoj kolegët që me qetësinë dhe maturinë që duhet të kenë parlamentarët të miratojnë këtë projektligj”, tha z. Bushati. Projektligji u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetja znj. Evis Kushi diskutoi për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve”. Në fjalën e saj, deputetja Kushi tha se nëpërmjet këtij ligji do të përmirësohet jeta e qytetarëve në shumë qytete të vendit. “Marrëveshja e grantit ka për qëllim asistencën teknike për sistemin e ujësjellës kanalizimeve në shumë qytete të vendit. Një projektligj shumë i rëndësishëm që do të ndryshojë rrënjësisht jetën e qytetarëve, që do të përmirësojë rrënjësisht kushtet e jetesës së qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë kolegët që ta miratojnë këtë projektligj”, tha znj. Evis Kushi. Ky projektligj u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Krahas kësaj, në seancë plenare u miratua me 76 vota pro projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”. Kuvendi miratoi 74 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim projektvendim “Për zgjedhjen e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Z. Pajtim Melani u zgjodh Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 10:40.


Share