Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla lidhur me çështjen e testimit të mësuesve

  • Postuar më, 03/02/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla lidhur me çështjen e testimit të mësuesve.

Duke folur para anëtarëve të komisionit, znj. Nikolla deklaroi se testimi ishte një mënyrë për të rritur cilësinë në sistemin arsimor dhe se ky sistem ka gjetur mbështetjen e mësuesve.

“Ne adresuam një sistem të ri, që ka gjetur mbështetjen e të gjithë mësuesve të përfshirë në këtë sistem. Rezultatet do flasin vetë dhe unë do jem këtu për të thënë sesa ju nuk kishit të drejtë kur paragjykuat këtë proces”.

Përfaqësuesit e opozitës në komision pretenduan se testimi është i jashtëligjshëm dhe i panevojshëm. Sipas tyre, ka forma të tjera për të identifikuar kualifikimin e mësuesve.

Ministrja Nikolla u shpreh se testimi i majit, ashtu si ai i muajit dhjetor është një sukses dhe se nuk ka gjetje më të ndershme përballë situatës së krijuar në arsim ku 50% e mësuesve nuk punojnë në profilin përkatës.

Znj. Nikolla foli gjithashtu për testimin e mësuesve që u zhvillua në datë 6 dhjetor të vitit të kaluar ku morën pjesë rreth 5300 mësues nga e gjithë Shqipëria në 25 profile. Ndërkohë që në muajin mars mësuesit do t’i nënshtrohen një tjetër testimi.

Mbledhja vijoi me debate dhe diskutime për çështje të ndryshme të arsimit jashtë rendit të ditës. Gjithashtu, anëtarët e komisionit i drejtuan pyetje Ministres së Arsimit dhe Sportit në lidhje me testimin e mësuesve.


Share